Trump i bëri presion Ukrainës për ta hetuar djalin e Biden-it

Sipas disa raporteve, Donald Trump i ka bërë presion presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, që ta hetojë djalin e ish-zëvenëspresidentit amerikan dhe kandidatit demokrat për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden. Partia Demokratike e ka dënuar sjelljen e presidentit dhe e ka cilësuar si përpjekje për ta dëmtuar një rival të madh politik.

Presidenti Trump kishte biseduar me homologun e tij ukrainas më 25 korrik, rreth dy javë para se të fillonin hetimet kundër djalit të një prej rivalëve më të mëdhenj politik të shefit të Shtëpisë së Bardhë. Në telefonatën e korrikut, Trump-i i kishte bërë vazhdimisht presion presidentit ukrainas që ta hetojë djalin e Biden-it, Hunter-in. Ai e kishte përmendur këtë çështje tetë herë gjatë telefonatës.

Përmes një deklarate, Joe Biden tha: “Nëse këto raporte janë të vërteta, atëherë vërtet vullneti i Trump-it për ta keqpërdorur pushtetin e tij nuk paska fund. Kjo sjellje është veçanërisht e keqe, sepse e shfrytëzon politikën e jashtme të vendit tonë dhe e rrezikon politikën tonë kombëtare për qëllime politike”. Ai gjithashtu kërkoi nga presidenti që menjëherë ta publikojë transkriptimin e telefonatës, në mënyrë që populli amerikan ta vlerësojë vetë sjelljen e tij.

Për më tepër, Hillary Clinton, ish-sekretare e shtetit dhe kundërkandidate e Trump-it në zgjedhjet e vitit 2016, shkroi në Twitter: “Presidenti kërkoi nga një fuqi e huaj që ta ndihmojë atë për të fituar në zgjedhje. Përsëri”.

Në vitin 2016, zyrtarët e fushatës së presidentit kishin pasur disa kontakte me Rusinë dhe kishin pranuar se e kanë mbajtur një takim me rusët, shkruan “The Guardian”.

loading…