Vajza e Trumpit

Trump e quajti “dinamit”, Ivanka përjashton veten nga gara për pasuesen e Haley

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley lajmëroi dorëheqjen pas rreth dy vitesh në detyrë. Presidenti Donald Trump u shfaq në Zyrën Ovale përkrah Haleyt, për të thënë se ajo kishte bërë një punë të mrekullueshme.

“Ishte nder në jetën time”, tha zonja Haley, e ulur pranë presidentit Donald Trump në Zyrën Ovale, ku ata njoftuan largimin e saj të pritshëm. “Do të largohem nga fundi i vitit”, tha ajo.

“Do të na mungoni, – i tha presidenti Trump. – Keni bërë një punë fantastike”.

46-vjeçarja, ish-guvernatore e Karolinës së Jugut, një nga të paktat femra në kabinetin “Trump”, nuk dha një arsye për largimin, por hodhi poshtë spekulimet se ajo planifikonte të kandidonte për presidente në vitin 2020.

Trump, në anën tjetër, tha se do të përzgjidhte pasuesin e saj brenda dy apo 3 javëve të ardhshme. Ai tha se do të merrte në konsideratë kandidaturën e Dina Powell, ish-zëvendëskëshilltarja e tij e Këshillit të Sigurisë, e shtoi se vajza e tij Ivanka do të ishte “dinamit, në rolin e ambasadores”, por ai do të akuzohej për nepotizëm po ta zgjidhte atë.

Disa orë më vonë, edhe vet Ivanka e përjashtoi veten nga gara, përmes një postimi në Twitter.

“Është një nder i madh të shërbesh në Shtëpinë e Bardhë përkrah kaq shumë kolegësh të mëdhenj. Unë e di që presidenti do të zgjedhë një zëvendësues të jashtëzakonshëm për ambasadoren Haley. Zëvendësuesi nuk do të jem unë”, shkruante ajo.