Trump e pret pastorin Brunson në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të presë në Shtëpinë e Bardhë pastorin amerikan, Andrew Craig Brunson, i cili ishte mbajtur në burg nën akuzat për kryerje të veprave penale dhe të spiunimit për FETO-n.

Trump ka folur dje në Shtëpinë e Bardhë për pastorin Brunson, i cili u lirua duke marrë parasysh kohën prej afër dy vitesh që ai ka qëndruar në arrest.

Mbajtja e pastorit amerikan në burg nga ana e Turqisë kishte përkeqësuar në masë të madhe raportet bilaterale ndërmjet dy shteteve, transmeton Ballkani.info.

“Kemi një lajm të mirë. Pastori Andrew Brunson ka hipur në avion nga Turqia. Ashtu siç unë e di është në gjendje të mirë. Me gjasë do të ndalet në Gjermani për kontrolle. Me shumë gjasë të shtunën do të jetë në Zyrën Ovale. Kjo nuk ka ndonjë lidhje me diçka. Nuk kemi bërë ndonjë marrëveshje”, ka thënë Trump.

Gjykata turke e ka dënuar me tre vite e një muaj e gjysmë pastorin amerikan, Andrew Cragig Brunson, i cili deri më tash ishte në arrest shtëpiak nën akuzat për kryerje të veprave penale dhe të spiunimit, sipas Turqisë, në emër të organizatave terroriste të Lëvizjes Gyleniste dhe Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit.