Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka arritur në Britani të Madhe. Aeroplani i tij “Air Force One” është lëshuar në aeroportin “Stansted”, ku presidenti dhe bashkëshortja e tij, Melania, pritet të përshëndeten nga ministri i jashtëm britanik, Jeremy Hunt, i cili është njëri nga kandidatët për ta marrë udhëheqjen e Partisë Konservatore.

Para se të nisej drejt Britanisë së Madhe, Trump i vlerësoi lart rivalin kryesor të Huntit, Boris Johnson, dhe liderin e partisë Brexit, Nigel Farage. Para se të lëshohej në tokën britanike, ai e sulmoi kryetarin e Londrës, Sadiq Khan, duke thënë se ai është një humbës i ftohtë si guri dhe se ka bërë një punë të tmerrshme si kryetar i kryeqytetit.

Dhjetëra mijëra protestues pritet të dalin në rrugë për ta kundërshtuar vizitën e Trumpit në Britani të Madhe. Përndryshe, ministri i jashtëm britanik la të kuptohet se presidenti amerikan dhe kryeministrja britanike mund të mos zhvillojnë takim në katër sy.

Presidenti Trump tha se pret që vizita e tij treditore të jetë shumë e rëndësishme dhe shumë interesante. Para se të nisej në udhëtim, ai tha se mund të takohet me politikanin Boris Johnson, sepse ai është mik i tij.

Para se ta niste këtë vizitë, presidenti amerikan i ka bërë thirrje Britanisë së Madhe që të largohet nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje, nëse Brukseli refuzon t’i plotësojë kërkesat e këtij shteti, shkruan “The Guardian”