‘Tronditet’ shpresa e imunitetit, pacientët e shëruar nga koronavirusi testohen sërish pozitivë

Pacientët e shpruar nga koronavirusi testohen përsëri pozitivë, “tronditen” shpresat e imunitetit

Koreja e Jugut raportoi të premten se 91 pacientë të rikuperuar nga koronavirusi janë testuar përsëri pozitivë për sëmundjen, duke ngritur pyetje mbi të kuptuarin e pandemisë nga ekspertët e shëndetit.

Perspektiva që njerëzit të riinfektohen nga virusi është shqetësim ndërkombëtar, pasi shumë vende shpresojnë se popullatat e infektuara do të zhvillojnë imunitet të mjaftueshëm për të parandaluar ringjalljen e pandemisë.

Raportet gjithashtu kanë shkaktuar frikë se virusi mund të mbetet aktiv te pacientët për shumë më gjatë nga sa mendohej.

Zyrtarët shëndetësorë koreanë raportuan të premten se 91 pacientë që mendohet se ishin pastruar nga virusi, ishin testuar përsëri pozitivë, nga 51 që ishin të hënën.
Qendra Koreane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (KCDC) njoftoi se kishte dërguar një ekip në qytetin Daegu, zona më e goditur, për të hetuar pse pacientët atje po rezultonin përsëri pozitivë.

Disa nga pacientët që u testuan përsëri pozitivë nuk treguan simptoma, ndërsa të tjerët vuanin nga ethet dhe problemet e frymëmarrjes, sipas “Financial Times”.

Zyrtarët shëndetësorë të Koresë së Jugut thanë se mbetet e paqartë se çfarë fshihet pas këtij trendi, me gjetjet paraprake nga hetimi në Daegu, që nuk pritet të publikohet deri në javën e ardhshme.

Sidoqoftë, drejtori i KCDC, Jeong Eun-kyeong, ngriti mundësinë që virusi mund të ishte “riaktivizuar” te njerëzit dhe jo të ketë pasur një riinfektim.

Edhe rezultatet e rreme të testit mund të jenë gjithashtu fajtorë, thanë ekspertë të tjerë, ose mbetjet e virusit mund të jenë akoma në sistemet e pacientëve pa qenë infektivë dhe pa paraqitur një rrezik për mbartësin ose të tjerët.

“Ka interpretime të ndryshme dhe shumë variante”, tha Jung Ki-suck, profesor i mjekësisë pulmonare në Spitalin Universitar “Hallym Sacred”. “Qeveria duhet të paraqesë përgjigje për secilën nga këto ndryshime”.

Koreja e Jugut më parë ishte përshëndetur si një histori suksesi pasi zbatimi i shpejtë i një regjimi të testimit në shkallë masive ndaloi përhapjen e virusit dhe çoi në një shkallë shumë më të ulët fataliteti sesa mesatarja globale.

Vendi pati një nga shpërthimet më të këqija jashtë Kinës në fazat e hershme të përhapjes së koronavirusit, por e ka sjellë situatën nën kontroll gjatë dy muajve të fundit nga një kombinim i masave përfshirë raportimin transparent, testimin në masë, distancimin shoqëror dhe gjurmimin e kontaktit.

Të premten, vendi raportoi 27 raste të reja, shifra më e ulët që kur rastet ditore arritën kulmin në më shumë se 900, në fund të shkurtit, sipas KCDC. Numri i vdekjeve u rrit me shtatë, në 211 total.

Gati 7,000 koreanë të Jugut janë raportuar si të rikuperuar nga Covid-19, sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi i ri.

Qyteti Daegu, i cili përbën më shumë se gjysmën e të gjitha infeksioneve në Korenë e Jugut, raportoi zero raste të reja për herë të parë që nga fundi i shkurtit.
Sidoqoftë, raportimet e reja të pacientëve të rikuperuar që u testuan pozitive edhe një herë, kanë ngjallur frikë nga një shpërthim tjetër.

“Ne themi që një pacient është shëruar plotësisht kur ai ose ajo testohet dy herë negativ brenda 24 orëve. Por fakti që disa prej tyre u testuan përsëri pozitivë në një periudhë të shkurtër, do të thotë që virusi mbetet në organizëm më gjatë sesa menduam”, tha Son Young-ra, një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetit dhe Mirëqenies, për “Financial Times”.

“Numri do të rritet, 91 është vetëm fillimi tani”, tha Kim Woo-joo, profesor i sëmundjeve infektive në Spitalin “Guro University”.

Kim gjithashtu tha që pacientët me sa duket ishin “riaktivizuar” në vend se të ishin riinfektuar.