Sot ‘Vrojtuesit e lagjes’ kanë publikuar një fotografi, në të cilën shihet një perde nga tymi i zi që del nga tymtarët e termocentralit në Obiliq.
Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, thotë se është trishtuar kur ka parë këtë fotografi, shkruan Ballkani.info.
Ai thotë që e ka kontaktuar drejtorin e përgjithshëm të Korporatës Energjetike të Kosovës, Njazi Thaqi, dhe sipas tij aryesja e kësaj ndotjeje është pastrimi i kazanit të bllokut A3, process ky i pashmangshëm.
“I trishtuar nga kjo foto që morra nga Vrojtuesit e lagjes – Prishtinë, menjëherë e kontaktova Drejtorin e Përgjithshëm të Korporatës Energjetike të Kosovës, Njazi Thaqi, për të kuptuar arsyen e kësaj ndotje ambientale. Nga KEK kuptova që ky tym ndodhë për shkak të pastrimit të kazanit të bllokut A3 i cili për 4 muaj ka qenë në remont dhe tani, pas përfundimit të remontit dhe para fillimit të punës, duhet të bëhet pastrimi i cili zgjatë për 4 ditë me rreth 3 orë ne ditë. Është proces i pa shmangshem për teknologjinë e vjetërsuar të këtij termocentrali”, ka shkruar ministri Lluka, pëcjell Ballkani.info.
Ai u bën thirrje qytetarëve të rajonit të Obiliqit që të kenë kujdes deri në përfundim të këtij procesi.
“Ju lutem qytetarëve në rajonin e Obiliqit që gjatë kësaj kohe 3 orëshe kur fillon procesi, të kufizojnë daljet në ambiente të hapura”, ka apeluar Lluka.
Ministri në detyrë kërkoi falje dhe dha lajmin se Kosova A do ta ketë një bllok shtesë, për të sigurar stabilitet energjik gjatë stinës së dimrit.
“Si ministër përgjegjës për sektorin energjetik, ju kërkoj ndjesë për këtë pamje dhe proces të nevojshëm. Nga ana tjetër pozitive, në përgatitje për dimër, një bllok shtesë të Kosovës A do ta kemi në dispozicion që do të ofroj stabilitet energjetik për vendin”, ka përfunduar mininstri./Ballkani.info/







