Gjykata Speciale

Tri vjet pas kalimit të Ligjit për Gjykatën Speciale, ndërmirren hapat e parë

Njohësit e sistemit të drejtësisë vlerësojnë se ftesa për intervistim ndaj ish-komandantit Rrustem Mustafa është parapërgatitje e opinionit publik për arrestimet e ardhshme që mund të ndërlidhen me figura të fuqishme politike ose ushtarake. Aktivizimi i Speciales sipas tyre mund të ndikojë edhe në vetë koalicionin qeverisës.

Tri vjet pasi Ligji për Gjykatën Speciale ka kaluar në Kuvendin e Kosovës Prokurori i Specializuar ditëve të fundit ka ndërmarrë hapat e parë drejt intervistimit të ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

I pari që ka konfirmuar pranimin e ftesës nga Prokurori i Specializuar është ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa. Komandant “Remi”, siç ka njoftuar avokati i tij, pritet të intervistohet më 14 janar të vitit që vjen (2019), ndonëse nuk ka saktësuar se në çfarë cilësie do të bëhet intervistimi.

Ndërkohë lajmi për intervistimin e ish-komandant “Remit” nuk është pritur mirë nga përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, të cilët Gjykatën Speciale e kanë krahasuar me gjykatat e fashizmit. Në anën tjetër, pavarësisht se njohësit e drejtësisë ftesën për intervistim ndaj Mustafës e shohin si aktivizim të Speciales, ish-komandantë të UÇK-së janë shprehur të bindur se kjo Gjykatë do të dështojë.

Ballkani.info ka raportuar edhe ditën e djeshme për një figurë tjetër të lartë të UÇK-së, që është personi i dytë i ftuar për intervistim nga Gjykata Speciale. /Ballkani.info/