Tri faqe aktakuzë për tre të vrarët në masakrën në “Mati 1”

Më 5 shtator 2019, lagjja “Mati 1” në Prishtinë, ishte tronditur nga konflikti i armatosur në mes familjes Mehmeti dhe Rafuna, pas të cilin konflikt, kishin mbetur të vdekur tre persona.

Ndër tre personat e vdekur, një ishte nga familja Mehmeti, një nga familja Rafuna, derisa nga ky konflikt i armatosur, ka ndërruar jetë edhe një kalimtar rasti.

85 ditë më vonë, lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë tre faqëshe në Gjykatën Themelore të Prishtinës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë rast, për vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, akuzohet Naim Mehmeti.

“Ekziston dyshimi i bazuar se pas një kontesti pronësor që kishin mes vete familja Rafuna dhe Mehmeti, më 5 shtator 2019, rreth orës 15:40, në kryqëzimin e rrugës “Muharrem Fejza” dhe “Jakov Xoxa”, i pandehuri Naim Mehmeti ka tentuar që ta privojë nga jeta tani të ndjerin Mufail Rafuna” thuhet në këtë aktakuzë.

Në një nga tri faqet e kësaj aktakuze thuhet se i pandehuri këtë e ka bërë në atë mënyrë që paraprakisht është fjalosur me tani të ndjerin rreth anësorëve të shkallëve, të cilat i kishte hekur Mufail Rafuna dhe në momentin kur tani i ndjeri ka nxjerrë armën nga çanta, i pandehuri ka filluar të ikë rreth lokaleve duke vrapuar.

Sipas akuzës, i ndjeri Rafuna ka shtënë në drejtim të të pandehurit me revole dhe e ka goditur në pulpin e këmbës së majtë dhe në gishtin e madh të asaj këmbe.

Tutje, thuhet se i pandehuri ka shkuar në banesën që gjendet në katin e tretë, ka dëgjuar të shtënat e armëve, ka marrë armën automatike, ka dal në hyrje të banesës, ka parë të plagosur Mufail Rafunën, e vëllain e tij, Bashkim Mehmetin, por fatmirësisht tani në ngjarje ishte implikuar pjesëtari i Policisë së Kosovës, në rroba civile, Irfan Bunjaku, i cili ka arritur që të pandehurit t’ia marrë armën “AK 47”, nga dora dhe ta vejë në kontroll të pandehurin, në të cilën kishte fishekun në tytë, dhe 28 fishekë të tjerë në karikator, ndërsa polici ka vërejtur se ka qenë i plagosur nga të shtënat e Mufail Rafunës.

Për këtë akuzohet për veprën penale “Vrasje në tentativë”.

Ndërkaq, dispozitivi i dytë i aktakuzës thotë se nga data e pacaktuar deri më 5 shtator 2019, pa autorizim ka poseduar armën e tipit “AK47”, me 29 fishekë, me të cilin ka kryer veprën penale si në pikën e parë të akuzës, e pas bastisjes në banesë të tij, janë gjetur dhe sekuestruar 80 fishekë automatikut dhe 64 fishekë të pistoletës. /BetimipërDrejtësi