Trepça, skuadra e vetme pa fitore

Trepça vlerësohet prej skuadrave të mëdha të basketbollit kosovar. Por këtë edicion nuk po ia del të evitojë humbjet. Madje pas xhiros së katërt të Superligës së Kosovës është skuadra e vetme që nuk ka fitore.

Fitore kanë edhe skuadra fare të reja në Superligë si Ponte Prizreni, Lipjani e Borea, por jo edhe Trepça, që së bashku me Prishtinën, Pejën e Bashkimin vlerësohet se përbëjnë katërshen e madhe të basketbollit kosovar.

Trepça të dielën e luajti takimin e fundit të xhiros së katërt. Në palestrën “Minatori” në Mitrovicë u përball me Rahovecin, ndërsa pësoi me rezultat të ngushtë, 89:88. Amerikani Mark Dorris dështoi në tentimin e fundit dhe kështu fitorja i takoi Rahovecit.

Fundi i ndeshjes ishte dramatik, ndërsa Rahoveci kaloi në epërsi 89:88, falë realizimit të dy gjuajtjeve të lira nga amerikani Deshon Minnis, kur kishin mbetur edhe 13 sekonda deri në fund. Për Rahovecin ishte fitorja e katërt nga po aq ndeshje. Katër fitore i ka vetëm edhe Z Mobile Prishtina që prin. Ndërkohë Trepça është e fundit me katër pikë, që ia siguruan katër humbjet e deritashme.