Tre variante të koronavirusit, vaksina mund të marrë 12-18 muaj kohë

Studiuesit kanë zbuluar së fundmi tre variante të virusit që ka shpërthyer në të gjithë botën. Ata kanë bërë krahasimet e infeksionit në Uhan në Kinë, në Europë dhe në Amerikën e Veriut.

Në botë mendohet se qarkullojnë aktualisht të paktën tre variante të virusit që shkakton Covid-19.

Një ekip gjenetikanësh nga Britania dhe Gjermania, që analizuan materialin gjenetik të pacientëve mes 24 dhjetorit dhe 4 marsit, shpresojnë se janë afër krijimit të hartës evolucionare të virusit, dhe do të mund të identifikojnë burimin e tij raporton ballkani.info

Varianti i parë i virusit mendohet se ka buruar nga lakuriqët e natës dhe është gjetur te amerikanët që jetonin në provincën kineze të Hubeit.

Pas ndryshimeve gjenetike, ai ka krijuar variantin B që është më i zakonshmi në qytetin e Uhanit në Kinë, ndërsa varianti i tretë, është rezultat i mutacioneve të koronavirusit të Uhanit që tashmë gjendet më shpesh në Europë, në Francë, Itali, Suedi dhe Angli.

“Tani që kemi rindërtuar pemën e familjes së koronavirusit te njeriu, mund të përdorim këtë historik gjenetik për të gjurmuar rrugët e infeksionit nga një njeri te tjetri, dhe të kemi në dorë një instrument statistikor për të ndalur infeksionin nëse ai do të rikthehej,” tregon shkencëtari gjerman, Petër Forster, i Universitetit të Kembrixhit në Angli.

Virusi mësohet se po pëson shndërrime mes popullatave të ndryshme dhe nëse nuk do të arrihet të kontrollohet, mikrobi mund të bashkjetojë te njerëzit për një kohë të gjatë me pasoja të rënda.

Gjetja e një vaksine për koronavirusin e ri pritet të marrë të paktën mes 12 dhe 18 muajve kohë.

Disa shkencëtarë propozojnë që zgjidhje më e shpejtë do të ishte identifikimi i variantit të lehtë të virusit dhe infektimi vetjak me të i personave për të rritur imunitetin e trupit ndaj një varianti më fatal.

Metoda të tilla janë përdorur më parë për të trajtuar sëmundje si poliomieliti, fruthi, rubeola apo lia, por për shkak të natyrës së paparashikueshme të viruseve, ideja nuk ka gjetur mbështetje. /Ballkani.info/