Greqi

Tre të vrarë në sulmin vetëvrasës në një kompani transporti në Greqi

Një burrë ka qëlluar për vdekje tre persona në hapësirat e një kompanie transporti afër Athinës, ka raportuar BBC.

Mediat greke kanë raportuar se i armatosuri ka hyrë në ndërtesë, ka vrarë dy burra dhe një grua dhe më pas ka vrarë edhe veten.

I dyshuari u gjet i vdekur afër armës së gjuetisë që besohet se është përdorur gjatë sulmit.

Policia ka thënë se i dyshuari ka qenë punonjës i kompanisë dhe ishte pushuar nga puna para sulmit. Mes të vrarëve ka qenë edhe pronari i kompanisë “European Product Carriers”.

Dëshmitarët e kanë identifikuar të armatosurin si punonjës të kompanisë.

“Dëgjova të shtëna. U nisa drejt shkallëve për të parë se çfarë është duke ndodhur. I pashë dy persona duke zbritur poshtë dhe më thanë: ‘Është Arisi me armë dhe po qëllon njerëz’,” ka thënë një dëshmitar. “Normalisht nxitova dhe dola jashtë”, ka shtuar ai.

Policët kanë rrethuar një zonë të gjerë rreth ndërtesës. Në vendngjarje doli edhe njësia elitare kundër terrorizmit “EKAM”. Gjithashtu u panë edhe makina të zjarrfikësve dhe ambulanca.

I dyshuari pra se ta vriste veten ishte barrikaduar në katin e dytë të ndërtesës.

Një negociator i policisë u përpoq të qetësonte situatën për disa orë, por burri në fund vrau veten.

Sulmuesi u identifikua si shtetas egjiptian 70-vjeçar.

Sulmet e tilla – jashtë aktiviteteve të lidhura me banda – janë të rralla në Greqi, e cila ka ligje të rrepta për armëmbajtje pa leje.