Tre të vdekur nga zjarri në Kili, vazhdojnë trazirat

Tre persona kanë vdekur nga një zjarr në një dyqan në kryeqytetin e Kilit, Santiago. Ky zjarr u shkaktua gjatë natës së dytë të protestave të dhunshme që e kanë përfshirë vendin e largët të Amerikës Jugore.

Dy njerëz vdiqën në vendin e ngjarjes dhe një tjetër vdiq më vonë në spital. Lajmin e bëri të ditur kryetarja e kryeqytetit kilian, Karla Rubilar.

Presidenti i Kilit, Sebastian Pinera, e ka anuluar vendimin për rritjen e çmimit të transportit në metro, vendim i cili i kishte nxitur protestat. Megjithatë, përleshjet e dhunshme mes policisë dhe protestuesve vazhduan edhe të shtunën në mbrëmje.

Në rrugët e Santiagos janë vendosur ushtarë dhe tanke pasi qeveria e shpalli gjendjen emergjente dhe vendosi orë policore gjatë tërë natës.

Këto protesta e pasqyrojnë një pakënaqësi të gjerë ndaj kostos së lartë të jetesës në njërin nga vendet më të qëndrueshme të Amerikës Latine.

Ushtria u angazhua në hapësira publike për herë të parë që nga viti 1990, kur në këtë shtet ishte rrëzuar diktatura e politikanit dhe gjeneralit Augusto Pinochet dhe kishte filluar se zbatuari sistemi demokratik.

Në ditën e dytë të protestave, protestuesit i larguan barrikadat e vendosura nga policia dhe ua vunë flakën autobusëve, ndërsa policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe kamion me ujë.

Sipas të dhënave të policisë, më shumë se 300 persona janë arrestuar, ndërsa 156 policë e 11 civilë kanë pësuar lëndime gjatë përleshjeve, shkruan “BBC”.

loading…