Tre persona humbën jetën brenda një dite në rrugët e Kosovës

Policia e Kosovës kërkon kujdes të shtuar gjatë vozitjes dhe respektim të ligjit në trafik

Bazuar në statistikat e policisë vetëm gjatë 24 orëve të fundit tre persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve rrugore, ku sipas informacioneve fillestare shkaktar kryesor vlerësohet të kenë qenë pakujdesia e drejtuesve, humbja e kontrollit mbi automjet, përdorimi i alkoolit.

Në një aksident në autostradë Duhël -Suharekë që ndodhi këtë të premte humbi jetën një grua.

“Lidhur me rastin, raportohet se me 09.11.2019 ne QKUK , ka ndërruar jete viktima femër K-Shqiptare”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

Ndërsa, në rrugën Ferizaj-Lipjan, në fshatin Muzeqinë, një vajzë 21 vjeçare ka humbur jetën dhe pesë të tjerë mbetën të lënduar si pasojë e një aksidenti në komunikacion.

Aksidenti i tretë me fatalitet ndodhi mbrëmë rreth orës 20:10 në Novobërdë. Një shofer i cili ishte nën ndikimin e alkoolit ka goditur dy këmbësor, njëri prej tyre nuk arriti tu mbijetojë plagëve të marra.

Sipas policisë është arrestuar i dyshuari mashkull/K serb drejtuesi i automjetit. “Viktimat kane pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit janë dërguar në spitalin e Gjilanit ku njëri nga viktimat si pasojë e lëndimeve të rënda ka ndërruar jetë.

Me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje”, ka bërë të ditur policia. Policia e Kosovës ka bërë apel duke kërkuar kujdes të shtuar gjatë vozitjes dhe respektimin e ligjit në trafik.

“Policia e Kosovës, në vazhdimsi ka ndermarr masa aktive në funksion të një sigurie më të madhe nëpër rruget tona, me gjithë aktivitetet për parandalim të aksidenteve nga Policia, fushatave mediale, planeve operacionale dhe masave ligjore ndaj kundervajtsëve, humbja e jetëve njerëzore në aksidente trafiku mbetet shqetsim i madh për të gjithë ne, prandaj për të ndikuar në reduktimin e aksidenteve në përgjithësi dhe humbjen e jetëve njerzore në veçanti, kerkohet përkushtim dhe vigjilencë nga të gjithë, perfshirë institucionet dhe pjesmarrësit në trafik, në veqanti kerkohet kujdes i shtuar nga vet drejtuesit e automjetve.

Respektimi i ligjit të trafikut, ku përfshihen; kufizimi i shpejtësisë, përshtatja e drejtimit të automjetit me kushtet në rrugë, mos perdorimi i alkoolit gjatë vozitjes, përqendrimi më i madh gjatë vozitjes dhe shmangia e përdorimit të telefonave gjatë vozitjes duhet marr parasyshë për parandalim të aksidenteve”, ka apeluar policia.

Vetëm gjatë të shtunës kanë ndodhur 58 aksidente trafiku, 3 me fatalitet, 27 me të lënduar dhe 28 vetëm me dëme materiale. Gjatë 9 nëntorit policia ka shqiptuar 1 mijë e 260 tiketa dënimi.