Tre milionë euro për ndërtimin dhe restaurimin e kompleksit të Shtabit të UÇK-së në Gllogjan

Në vendlindjen e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, Gllogjan, ka dy javë që ka filluar të ndërtohet kompleksi memorial i ish-Shtabit të Zonës Operative të Dukagjinit.

Ky projekt do të kushtojë 3 milionë euro dhe ndahet në tri faza, raporton KTV.

Projekti ka të bëjë me konservimin dhe ndërtimin e kompleksit historik, si dhe restaurimin e konservimin e objekteve brenda këtij kompleksi që gjatë luftës 1998-1999 janë dëmtuar.

Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale ka zgjedhur një kompani nga Shqipëria për ndërtimin dhe restaurimin e kompleksit.

Gjithashtu, ky institucion ka zgjedhur edhe një kompani kosovare për mbikëqyrjen e punimeve që do të zgjasin më shumë se 3 vjet, por OSHP-ja këtë vendim, e ka kthyer në rivlerësim.

Megjithatë, që nga muaji tetor i vitit të kaluar që kur është formuar komiteti ndër-ministror prej 15 anëtarësh, të cilët kanë bërë përcaktimin e kritereve për konservimin e kullave të familjes Jashari, në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ende asgjë nuk është bërë.

Edhe për këtë projekt, janë ndarë 3 milionë euro, megjithatë, ende nuk kanë filluar punët.

loading…