Tre kryeministra për një vit – çfarë bënë dhe për çfarë do të mbahen mend Haradinaj, Kurti e Hoti?

Viti 2020 në Kosovë është karakterizuar si vit i jo-stabilitetit qeveritar. Kjo pasi brenda një viti me Kosovën kanë qeverisur tri qeveri me tre kryeministra të ndryshëm dhe gjithashtu janë rrëzuar dy qeveri.

Në vitin 2020 Kosova ka hyrë me qeveri në detyrë pas dorëheqjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj. Ndërsa, pas negociatave të stërzgjatura, më në fund Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës bënë koalicionin e përbashkët për qeverinë më jetëshkurtër në historinë e Kosovës, atë të Albin Kurtit.

Përveç taksës të vendosur në nëntor të vitit 2019 të cilës i qëndroi besnik deri në largimin e tij nga zyra e Kryeministrit, Ramush Haradinaj nuk mbahet mend për ndonjë aktivitet të tij politik në vitin 2020, pasi më 4 shkurt të këtij viti, në atë zyrë erdhi ish-kryeministri Albin Kurti i cili detyrën e mori nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli pasi Haradinaj në një formë a tjetrën, refuzoi t’ia dorëzonte.

Kurti me të marrë pozitën e kryeministrit filloi me shkarkime të bordeve të drejtorëve duke filluar nga Telekomi i Kosovës.

Më tutje, kryeministri Kurti vazhdoi me shkarkimin e Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës – Infrakos” Sh.A dhe gjithashtu edhe me shkarkimin e Bordit mbikëqyrës të Ndërmarrjes Publike “Trepça”.

Në vend të bordeve të shkarkuara pasuan edhe emërimet e bordeve të përkohshme ku Kurti edhe në deklarata për media e pranoi vet se shumë prej tyre ishin anëtarë e simpatizantë të Lëvizjes Vetëvendosje, madje nga kundërshtarët politikë kjo u quajt si çkapje e shtetit për kapje të re nga LVV-ja.

Por, problemet për Kurtin filluan me shfaqjen e rasteve të para të pandemisë COVID-19 në Kosovë. Pas mbledhjes së parë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare ku presidenti Thaçi kishte propozuar që të shpallej gjendje e jashtëzakonshme në Kosovë, Kurti e kishte kundërshtuar një gjë të tillë, por Agim Veliu, ministri i Punëve të Brendshme kishte dalë kundër qëndrimeve të Kurtit.

E kjo si duket nuk i kishte pëlqyer ish-kryeministrit të Kosovës i cili vendosi që ta shkarkonte ministrin Veliu për shkak se i njëjti kishte deklaruar në një televizion se ishte pro shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, e sipas Kurtit kjo gjë ishte kundër qëndrimeve zyrtare të qeverisë.

Në pozitën e kryeministrit, Kurti u përball me zotimet e tij në fushatën elektorale se do të rifillonte dialogun me Serbinë duke bashkëpunuar me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por kjo i shkaktoi probleme atij.

Kurti pati përplasje të ashpra me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e sidomos me Të Dërguarin e Posaçëm të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi Richard Grenell lidhur me çështjen e taksës 100 për qind dhe vendosjen e reciprocitetit me Serbinë.

Kryeministri Kurti vendosi të fuqizonte reciprocitetin me Serbinë që përkundër kërkesave ultimate të Grenell që kjo të mos ndodhte në mënyrë që të rifillonte dialogu. Kosova në një formë ose tjetër u kërcënua edhe me tërheqje të trupave amerikane nga Kosova, por kjo nuk ndodhi.

I ftuar në Uashington për takim e marrëveshje me Serbinë, Kurti kishte thënë se atje janë përgatitur “thika mbi harta” për marrëveshjen Kosovë – Serbi dhe kishte ironizuar me Shtëpinë e Bardhë, duke e quajtur atë të verdhë e të kuqe.

E si tentim për t’i relaksuar raportet me SHBA-të, Kurti e hoqi taksën 100 për qind për produktet serbe dhe ato boshnjake, për të pritur disa ditë para se të fuqizonte reciprocitetin me Serbinë.

Por, shkarkimi i Veliut dhe përkeqësimi i raporteve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e nxitën Lidhjen Demokratike të Kosovës të inicionte një mocion të mosbesimit ndaj qeverisë Kurti që rezultoi i suksesshëm dhe qeveria Kurti u rrëzua me 82 vota pro.

Si kundërpërgjigje që Lidhja Demokratike e Kosovës ia prishi koalicionin e qeverinë, Kurti vendosi që ta shkarkonte nga pozita e zëvendëskryeministrit të parë Avdullah Hotin e LDK-së me efekt të menjëhershëm.

As si kryeministër në detyrë, Kurti nuk u ndal me shkarkime. Ai në mes të pandemisë shkarkoi Bordin Drejtues të Shërbimit Klinik Universitar të Kosovës për arsye të mospërmbushjes së detyrave dhe përgjegjësive të rëndësishme dhe emëroi një bord të ri.

E në fund të marsit, përkundër rekomandimeve dhe kërkesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kurti vendosi reciprocitetin me Serbinë kështu duke i përshkallëzuar edhe më tutje raportet e tij dhe të qeverisë së tij me SHBA-të.

Shkarkimet e Kurtit prekën edhe dy ndërmarrje të tjera. Ishte fillimisht shkarkimi i Bordit të Drejtorëve të kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” dhe pas kësaj të Bordit të Drejtorëve të Postës së Kosovës, duke emëruar kështu në secilin vend bordet e përkohshme.

Kurti gjithashtu shkarkoi edhe bordin e Korporatës Energjetike të Kosovës dhe gjithashtu edhe Drejtorin i Përgjithshëm i Autoritetit Civil dhe Bordin e Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova”.

Kështu, pas shkarkimeve si kryeministër në detyrë, Kurti ia lëshoi pozitën e kryeministrit atij që e kishte shkarkuar nga pozita e zëvendëskryeministrit, Avdullah Hotit i cili e krijoi qeverinë e tij së bashku me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën Socialdemokrate.

Kryeministri Hoti me të ardhur në qeveri, përkrah kërkesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e shfuqizoi vendimin ish-kryeministrit Kurti për reciprocitet me Serbinë dhe kështu i hapi rrugë rifillimit të dialogut me Serbinë.

Rifillimi i dialogut me Serbinë nuk dha rezultate, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian i relaksuar marrëdhëniet e tensionuara me Kosovën për shkak të taksës së Ramush Haradinajt e reciprocitetit të Albin Kurtit.

Pas rifillimit të dialogut në Bruksel, kryeministri Hoti dhe një numër i madh ministrash udhëtuan drejt Uashingtonit, ku në dhomën ovale do të nënshkruhej ajo që është quajtur marrëveshje e normalizimit ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë.

Kjo marrëveshje, nga Hoti dhe qeveria e tij është paraqitur si historike derisa është kundërshtuar ashpër nga Lëvizja Vetëvendosje, por edhe nga Partia Demokratike e Kosovës si shans i humbur për të marrë njohjen nga Serbia.

Kryeministri Hoti u përball edhe me valën më të ashpër të pandemisë COVID-19 dhe me rritjen enorme të rasteve me koronavirus, që rezultoi kështu me masa të rrepta të ndalimit të çarkullimit dhe të shkurtimit të kohës së aktivitetit të disa nga veprimtarive ekonomike.

Kritikat në drejtim të tij për dështim në menaxhimin e pandemisë ishin të mëdha, por gjithashtu, qeveria Hoti dështoi për muaj të tërë që të votojë Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike e cila sipas Odave Ekonomike dhe ekspertëve të ekonomisë ishte e vonuar dhe e pamjaftueshme për shkak të vonesave.

Qeveria e Hotit u karakterizua me mospajtime të mëdha edhe brenda koalicionit qeverisës ku edhe partneri kryesor, AAK-ja pothuajse e kishte kryeministrin e vet në këtë qeveri, Ramush Haradinajn i cili jo-rrallë e kërcënoi me rrëzim të qeverisë Hotin.

Rifillimi i dialogut në kohën e qeverisë Hoti përveç që nuk solli rezultatet e pritura, ra në një ngërç të ri, pavarësisht takimeve të tjera që ndodhën në nivelin e ekspertëve midis dy vendeve.

Tema kryesore e qeverisë Hoti ishte pandemia dhe rimëkëmbja ekonomike e shkaktuar nga pandemia, por për të dy këto tema ai është mjaft i kritikuar nga çarçe të ndryshme.

Gjatë qeverisjes së kryeministrit Hoti nga Thesari i Shtetit në mënyrë misterioze u vodhën 2.1 milionë euro për të cilat tani është e ditur se ku kanë mbërritur por ende nuk ka diçka konkrete që ato t’i kthehen shtetit të Kosovës.

Hoti gjithashtu në qeverisjen e tij morri vendim për zhbërjen e Task-Forcës anti-korrupsion për të cilën është kritikuar gjatë edhe nga partitë politike në Kosovë, por edhe nga Bashkimi Evropian dhe misionet e huaja diplomatike në Kosovë.

Ai gjithashtu mori vendim për shkarkimin e drejtorit të Policisë, Rashit Qalaj, drejtorin e Doganave, Ibrahin Xhaka dhe drejtorin e ATK-së, Ilir Murtezaj e së fundmi, ai vendosi edhe për shkarkimin e drejtorit të AKI-së, Kreshnik Gashi.

Kryeministri Hoti u përball me krizë të numrave në qeverinë e tij dhe ai në çështjet më të rëndësishme pati nevojë për votat e opozitës. Ishte Partia Demokratike e Kosovës ajo që ia mundësoi Hotit votimin e projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

Tani së fundmi, Gjykata Kushtetuese nëpërmjet një vendimi ka bërë që të rrëzohet qeveria Hoti pas konstatimit se vota e deputetit Etem Arifi është shpallur e paligjshme, votë kjo esenciale për formimin e qeverisë së tij.

Në fillim të vitit 2021, Kosova do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare dhe viti që mbeti pas do të mbahet mend për jo-stabilitet qeveritar ku u ndërruan tre kryeministra dhe qeverisën me Kosovën tri përbërje të ndryshme qeveritare.