Tre kosovarë që jetojnë jashtë vendit u vranë nga muaji shkurt

Tre shtatasë kosovarë janë vrarë jashtë vendit vetëm gjatë këtij viti. Në të dy raste, viktima dhe dorasi kanë lidhje familjare mes vete dhe kanë ndodhur në Gjermani, derisa rasti i fundit në Zvicër. Express u sjell detaje rreth këtyre rasteve.

Lajmi se një 24-vjeçare është vrarë nga vjehrri i saj në 56-vjeçar në Pratteln të Kantonit Baselland në Zvicër, pushtoi të shtunën ballinat e mediave zvicerane. Sipas raportimeve, viktima dhe dorasi ishin shtetasë kosovarë.

Por, ende mbetet e paqartë pse 56- vjeçari e ka vrarë nusen e djalit. Një përfaqësues i familjes ka thënë për blick.ch se “ai mund të ketë vepruar në vetëmbrojtje. Ndoshta nusja e ka sulmuar, pasi që edhe ai ishte plagosur, në dorë.

Policia e Kantonit Bazel-Landschaft ka deklaruar se viktima është vrarë me thikë. Sipas raportimeve të mediave, sfondi i mosmarrëveshjes mund të ketë qenë divorci i planifikuar në mes të çiftit të ri.

Anëtarët e familjes thonë se bashkëshorti i 24-vjeçares kishte angazhuar fshehurazi një avokat për t’u divorcuar. E në momentin kur nusja kishte marrë vesh për planin e të shoqit, thuhet se kishte shkuar te vjehrri me djalin e saj dhe mund ta ketë fajësuar për problemet e saj martesore.

Mosmarrëveshja pastaj përfundimisht u përshkallëzua. Sipas përfaqësuesit të familjes, gjyshja e kishte  marrë djalin dhe kishte ikur nga banesa kur ka filluar. Gruaja e 56 vjeçarit dhe tre djemtë e tij tani kanë frikë nga gjakmarrja, shpjegon përfaqësuesi i familjes”.

Lagjja është në gjendje shoku. Aty personi tashmë i dyshuar për vrasje njihet si një njeri i sjellshëm.

Por, kjo nuk është vrasja e vetme mes kosovarëve që ka ndodhur gjatë këtij viti në shtetet e huaja.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur javën e kaluar në Regensburg të Gjermanisë. Një 57-vjeçar me origjinë nga Kosova është gjetur i vrarë. Sipas mediave gjermane, një 55-vjeçar, po ashtu kosovar, është arrestuar si i dyshuar.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të stacionit të trenit në Regensburg të Gjermanisë.

Sipas dëshmitarëve, viktima dhe i dyshuari kishin pasur një mosmarrëveshje.

“Në Regensburg, një burrë u qëllua në rrugë. Dëshmitarët kishin vërejtur një mosmarrëveshje midis dy burrave në mëngjes dhe kishin lajmëruar policinë, thanë zyrtarët. Policia gjeti një të vdekur 57-vjeçar të shtrirë në rrugë. Skena e krimit është afër stacionit kryesor të trenit Regensburg, rruga është bllokuar përkohësisht për një kohë të gjatë”, shkruajnë mediat gjermane.

Po ashtu, bëhet e ditur se është arrestuar një 55-vjeçar i cili kishte qenë i armatosur.

“Policët kanë arrestuar një të dyshuar 55-vjeçar, afër vendit të ngjarjes. Dëshmitarët e kishin përshkruar, ndërkaq policia tha që ai po shëtiste dhe kishte një armë me vete”, thuhet tutje.

Policia atje ka njoftuar se viktima dhe i dyshuari janë shtetas gjermanë, me origjinë kosovare.

“Sipas policisë, si burri i ndjerë ashtu edhe i dyshuari janë shtetas gjermanë me origjinë kosovare. Të dy do ta njihnin njëri-tjetrin për një kohë të gjatë. Motivet janë ende të paqarta. Trupit të viktimës duhet t’i bëhet autopsia. Zyra e prokurorit publik në Regensburg po hetojnë një vrasje”, thuhet në raportimin e mediave gjermane, transmeton GazetaExpress.

Një vrasje tjetër kishte ndodhur në Gjermani në shkurt të këtij viti. Një 32-vjeçar nga Kosova ishte arrestuar nën dyshimet se ka vrarë gruan e tij 33-vjeçare.

Ngjarja kishte ndodhur në qytetin e Minfeld’it. Patrulla e policisë e kishte ndalur makinën që drejtonte kosovari, brenda së cilës gjendej edhe trupi i viktimës.

Siç raportonin mediat gjermane, edhe viktima edhe dorasi ishin nga qyteti i Podujevës.

Çifti së bashku kanë pasur dy fëmijë. Me kërkesën e prokurorit të rastit, dorasi ishte dërguar në mbajtje.