Tre konkurse të dështuara për Avokatin e Përgjithshëm të shtetit

Për më shumë se 1 vit, Fitore Gajtani është ushtruese e detyrës në një prej agjencive të Ministrisë së Drejtësisë.

Bëhet fjalë për pozitën e Avokates së Përgjithshme në Avokaturën Shtetërore.

Gajtani ka mbetur në këtë pozitë, pasi që 3 konkurse për plotësimin e saj, kishin dështuar.

Ministria e Drejtësisë ka thënë se “Nga periudha e caktimit të pozitës me zëvendësues ka pasur konkurse, deri më tani kanë qenë tre (3) konkurse të hapura publike, por për të dhëna të sakta, kompetente është  MPB – Departamenti për Menaxhimin e Zyrtareve Publik, sepse ata janë përgjegjës për zhvillimin e procedurave të rekrutimit për pozita të larta drejtuese”.

Por sipas Gëzim Shalës nga Instituti i Kosovës për Drejtësi mbetja me ushtrues detyre për një periudhë të tillë, është në kundërshtim me ligjin.

Gzim Shala nga IKD ka thënë se “Është e përcaktuar që një ushtrues detyre mund të qëndroj brenda afatit gjashtë muaj, çdo ditë e qëndruar më shumë konsiderohet shkelje e ligjit. Ky afat është lënë sepse është konstatuar se brenda këtij gjashtë muaji institucioni vetëm se e zgjedh drejtuesin”.

E sipas avokatit Ardian Bajraktari, që dikur ka qenë pjesë e Ministrisë, për shkak të rëndësisë së kësaj pozite, rekrutimi duhet të ndodhë sa më shpejt.

Ardian Bajraktari ka thënë se “ky është një institucion tepër me rëndësi andaj rekrutimi i pozitës së re për të ushtruar këtë funksion besoj që duhet të jetë një nga obligimet që duhet ta ketë Ministria për faktin që avokatura shtetërore është institucion tepër me rëndësi i cili merret me mbrojtjen e institucioneve qeveritare në procedura gjyqësore dhe në arbitrazhe”.

Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka kthyer përgjigje gjatë ditës në pyetjet për arsyen e dështimit të tre konkurseve për Avokatin e përgjithshme të shtetit.