Tre ditë i duhen Prokurorisë për ta përkthyer raportin nga Zvicra për Astrit Deharin

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala ka folur para mediave pasi që nuk ia dha raportin e ekspertizës familjes së Astrit Deharit.

Shala ka thënë para mediave se raporti do të ju dorëzohet familjarëve pasi që i njëjti të përkthehet.

Për t’u bërë kjo do të duhen tre ditë, ka deklaruar Shala.

Kjo deklaratë e tij vjen pasi që familjarët e Astrit Deharit, ish-aktivistit të Vetëvendosjes, kanë njoftuar se Prokuroria Themelore në Prizren nuk ua ka dorëzuar raportin e ekspertizës që dje erdhi nga Zvicra, raporton T7.

Avni Dehari ka thënë para mediave pas takimit me prokurorët se të njejtët nuk ia dhanë raportin, kjo me arsyetimin se ai do të ju dorëzohet pasi që të përkthehet. Familja të njejtin e ka kërkuar në gjuhën me të cilën është përcjellë.

Një ditë më parë Express ka raportuar se familja Dehari, përmes avokatit Tomë Gashi, ka kërkuar që t’i përcillet ekspertiza përmes një shkrese dërguar kryeprokurorit Aleksandër Lumezi e Prokurorisë në Prizren, në gjuhën në të cilën është kthyer.

Se ekspertiza është kryer ka lajmëruar dje përmes një konference për media kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala.

“Sot kemi pranuar raportin përfundimtar të ekspertizës së rastit të Astrit Deharit nga Instituti në Lozanë të Zvicrës. Nuk e dimë çka ka përbrenda, sot është dorëzuar në Prokurorinë e Shtetit. Ne këtë do t’ia dorëzojmë prokurorit të rastit që do ta hapë dhe do të dorëzohet për përkthim”, ka thënë Shala.

loading…