Transport falas për protestën kundër Zajednicës, që është thirrur nga organizata e afërt me Vetëvendosjen

Sot në 53-vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës, Parlamenti Studentor i këtij universiteti do të mbajë marsh kundër themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Parlamenti i Studentëve të Universitetit të Prishtinës, pjesë e së cilës është organizata e afërt me partinë në pushtet “Studim, Kritikë dhe Veprim”, u kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës, që pavarësisht bindjeve të tyre politike, t’u bashkohen për të marshuar së bashku.

Ky marsh, i cili do të nisë nga ora 16:00 para Bibliotekës Kombëtare të Prishtinës, ka moton “Bashkë kundër Asociacionit”.

Për të organizuar këtë protestë, organizata e afërt me pushtetin ka siguruar transport falas në disa komuna të vendit: Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë, Kamenicë, Gjilan, Viti, Lipjan, Kaçanik dhe Pejë.

Kryeministri Albin Kurti kur erdhi në pushtet thoshte se dialogu me Serbinë nuk ishte prioritet i tij. Ai, po ashtu, thoshte se dialogu ishte prioriteti i tij i gjashtë apo i shtatë dhe nuk kishte hartuar asnjë strategji, ndonëse bisedimet me Serbinë u bënë pothuajse puna e vetme që po e bënë me përkushtim personal.

Kryeministri Albin Kurti sa herë që ishte pyetur për këtë çështje përgjigjej me fjalët se Asociacioni nuk kalon. Por, me prezantimin e gjashtë kushteve në mënyrë që Asociacioni të bëhet i pranueshëm, Kurti ka pranuar që ai të kalojë.