Trajneri i Ballkanit, Shkëmbi i akuzon lojtarët e vet për humbjen kundër Drenicës

Trajneri i Ballkanit, Bledi Shkëmbi, i ka kritikuar lojtarët e vet për mungesë shpirti luftarak dhe se nuk u përpoqën fare në humbjen tronditëse 2:1 kundër Drenicës të dielën.

Disfata në Skenderaj, e cila ishte e shtata për klubin suharekas këtë sezon në Superligë, e zbret Ballkanin nga vendi i parë në të tretin dhe e lë prapa në garë për titull.

Kreshnik Uka dhe Dennison i shënuan golat e triumfit tronditës për Drenicën, ndërkohë goli i Mevlan Zekës i shërbeu vetëm për ngushëllim klubit suharekas.

Si pasojë, Ballkani ngel dy pikë prapa lideres, Prishtina, dhe një parapa vendit të dytë, Drita.

Duke folur pas ndeshjes, Shkëmbi e pranoi se skuadra e tij luajti dobët dhe i kritikoi lojtarët për mendësinë para ndeshjes.

“Ishte ndeshje e vështirë, nuk funksionoi asgjë, një ndeshje e dobët. Siç duket nuk menaxhuam mirë këto dy ditë pas fitores kundër Llapit. U futem në lojë  sikurse të fitonim ndeshjen, duke e nënvlerësuar kundërshtarin. Kjo ndeshje iku, duhet të përgatitemi për ndeshjen e radhës”, tha Shkëmbi pas ndeshjes.

Ai shtoi: “Për te triumfuar kundër rivalëve, duhet të ndryshoj mendësi që të japësh 100% në fushë, nëse nuk  luan me shpirt dhe nuk luan për ekipin, atëherë do jetë vështirë të arrihet te rezultati pozitiv”.

Ballkani do t’i ketë edhe katër ndeshje për ta fituar titullin e parë në historinë e klubit, por tani nuk varet gjithçka nga vetë ai.