Trajkoviq – Vuçiqit: Që 10 vjet, të dyshuarit për krimet më të rënda i quani patriotë e heronj

Politikania serbe nga Kosova, Rada Trajkoviq, ka reaguar pas sulmit të mbrëmshëm në Serbi, ku mbeten të vrarë tetë persona e u plagosën 14 të tjerë.

Ajo i reagoi presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, duke e rishpërndarë artikullin e “New York Times”, i cili e lidh Vuçiqin me botën e krimit, mafinë e huliganizmin, duke thënë se fytyra e Serbisë në botë në këtë ditë është shumë e shëmtuar.

Tutje, ajo tha se për një dekadë, Vuçiqi e nëpërkëmb çdo njëri të lirë në Serbi dhe se sipas saj, Serbia tash e 10 vjet është “në gjendje të jashtëzakonshme”.

Kujtojmë se mbrëmë në fshatin Dubona të komunës së Mladenovacit në Serbi, një 21-vjeçar i dyshuar ka shtënë me armë zjarri ndaj një grupi njerëzish duke lënë së paku 8 të vdekur e mbi 10 të plagosur.

Ndërkaq vetëm një ditë më parë, një nxënës 13-vjeçar hyri në shkollën e tij ku i ndiqte mësimet në Beograd dhe vrau 9 persona, nga ta 8 bashkëmoshatarë dhe një roje sigurie.