Trajkoviq i kundërpërgjigjet Bërnabiqit: Vuçiq më përpara e dorëzon Kosovën, sesa i vë sanksione Putinit

Politikania serbe nga Kosova, Rada Trajkoviq e ka ngritur në këmbë pushtetin në Serbi pas deklaratave të djeshme ku thoshte se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është fëmijë i politikës ruse dhe ka obligime ndaj Rusisë.

Po ashtu Trajkoviq ka thënë se Vuçiqi nga Perëndimi ka marrë mbështetje që ta përfundojë njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ndaj deklaratave të Trajkoviqit ka reaguar kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, e cila në llogarinë e saj në Twitter i ka publikuar deklaratat e politikanes serbe dhe ka shkruar se këto deklarata i ka dhënë në të njëjtën media, duke treguar kështu se kryeministrja serbe ka mosdurim ndaj mediave që i japim pak hapësirë zërit ndryshe në Serbi.

“Kaq sa i përket kredibilitetit dhe relevantizimit edhe të këtij personi edhe këtyre mediave”, ka shkruar Bërnabiq dhe më pas e ka lavdëruar “deri në qiell” Aleksandar Vuçiqin.

Postimit të Bërnabiqit i është revanshuar Trajkoviq, e cila i thotë kryeministres serbe se e kupton se nuk është e këndshme të jesh fëmijë i politikës ruse me fasadë progresive jobindëse.

“Por, nëse veç po interesoheni për deklaratat e mija, kuptojeni ato në thelb: Vuçiq më përpara e dorëzon Kosovën sesa i vendos sanksione regjimit të Putinit. Ai nuk e kafshon dorën që e ushqen”, ka shkruar Trajkoviq në kundërpërgjigjen ndaj Bërnabiqit.