Tragjedia e familjes nga Gjilani/ Nga helmimi te ping-pongu i mjekëve

Kishin shkuar në Shqipëri për të kaluar disa ditë pushimi, por panë vdekjen me sy teksa njëri pas tjetrit ndërruan jetë brenda tri ditëve.

Kjo është historia tragjike e familjes Haliti nga Gjilani i Kosovës. Familjarët, Elfete, 78 vjeçe, djali i saj Afrimi 56 vjeç e gruaja e tij Ferzinaze Haliti, 57 vjeçe, janë tre pjesëtarët e familjes nga Gjilani, të cilët ndërruan jetë njëri pas tjetrit në Shërbimin e Reanimacionit Qendror në QSUT, pasi ishin paraqitur në gjendje tejet të rëndë me diagnozë “intoksikacion nga kërpudha”.

Prej disa ditësh, ata ndodheshin në shtëpinë e tyre të pushimit në Gjirin e Lalzit, të cilën e frekuentonin shpesh. Nëna, i biri dhe bashkëshortja e tij, mëngjesin e së mërkurës së shkuar (datë 05.05.2021) ishin nisur për piknik në zonën e Shënpietrit, ku edhe kishin mbledhur disa kg kërpudha të egra që i gatuan dhe konsumuan gjatë orëve të pasdites pa ditur se ky ushqim do të rezultonte fatal për jetën e tyre.

Helmimi

Pak orë pasi konsumuan kërpudhat, tre pjesëtarëve të familjes Haliti nisën t’u shfaqeshin simptomat e para të helmimit. Kishin kaluar të paktën 5-6 orë nga konsumimi i kërpudhave kur ato nisën të jepnin efektet e para. Burri i shtëpisë ka kuptuar se diçka nuk po shkonte dhe të tre bashkë u nisën drejt Qendrës Shëndetësore Manzë, që ishte edhe pika më e afërt.

Aty janë pritur nga mjeku Shyqyri Beqja, mjek me shumë eksperience, i cili u ofroi shërbimin mjekësor. Pas pak minutash, tre pjesëtarët e familjes Haliti u ndjenë më mirë dhe kërkuan të largoheshin në shtëpi, në rezidencën ku banonin në Gjirin e Lalzit. Pas ndihmës së parë, tre anëtarët e familjes u kthyen sërish në banesë, por pas disa orësh gjendja e tyre shëndetësore do të përkeqësohej sërish.

Ping pongu i mjekëve

Pasi kaluan një natë shumë të vështirë në banesën e tyre, tre pjesëtarët e familjes Haliti mëngjesin e së enjtes u rikthyen në Qendrën Shëndetësore në Manzë ku u pritën nga mjeku Jonuz Karaj.

Ky i fundit konstatoi se gjendja shëndetësore e pacientëve ishte rënduar shumë dhe kërkoi Urgjencën e Spitalit të Durrësit për ndihmë më të specializuar. Ata u transportuan me autoambulancë drejt Spitalit të Durrësit, por duke marrë parasysh gjendjen e rëndë shëndetësore të tyre ka kërkuar që të niseshin me urgjencë drejt QSUT-së.

“Paraditen e datës 06.05.2021, në Urgjencën e Sëmundjeve të Brendshme në QSUT, pacientët I. H mosha 78 vjeç, A. H mosha 56 vjeç dhe F. H mosha 47 vjeç, janë paraqitur me ambulancë, me diagnozë ‘intoksikacion nga kërpudha’. Gjendja e pacientëve paraqitej e rëndë.

Pasi u janë kryer gjitha ekzaminimet dhe konsultat sipas protokolleve mjekësore të urgjencës dhe janë hospitalizuar, fillimisht në Shërbimin e Toksikologjisë dhe më pas në mbrëmje për shkak se gjendja e tyre u përkeqësua, u transferuan në Shërbimin e Reanimacionit Qendror. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ata kanë ndërruar jetë pranë këtij shërbimi: pacientja I. H më datë 06.05.2021, pacienti A. H më datë 07.05.2021 dhe pacientja F. H më datë 08.05.2021″, thuhet në deklaratën e QSUT-së.

Drejtori i Qendrës Shëndetësore Manzë: Presim ekspertizën mjekoligjore

Drejtori i Qendrës Shëndetësore në Manzë, Anesti Kamberi, thotë për gazetën “Panorama” se, në rastin konkret u ndoqën të gjitha protokollet mjekësore dhe fillimisht pacientët nuk kishin shenja të rënda. S

ipas tij, janë ndjekur të gjitha protokollet e mjekimit sipas Ministrisë së Shëndetësisë në dy kohë të ndryshme dhe më pas tre familjarët nga Kosova janë përcjellë për në shtëpi, pas nuk kanë pasur shenja të rënda.

“Ne presim ekspertizën mjekoligjore. Të dy kolegët e mi, Jonuz Karaj dhe Shyqyri Beqaj, janë mjekë me shumë eksperiencë ndër më të mirët që kemi. Ne jemi të bindur se për këtë rast mjekët kanë zbatuar me përpikëri protokollin e Ministrisë së Shëndetësisë. Tre pjesëtarët e familjes Haliti nga Kosova u paraqitën dy herë në këtë Qendër Shëndetësore këtu në Manzë. Fillimisht, janë pritur nga mjeku i turnit dhe ditën e dytë nga mjeku tjetër.

Në të dy rastet s’ka pasur fare neglizhencë, përkundrazi sikundër theksova janë zbatuar të gjitha protokollet. Pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore janë kthyer në shtëpi në gjendje të mirë. Pas disa orësh erdhën sërish në gjendje të rëndë me dhimbje të forta barku dhe të vjella. I nisëm drejt Durrësit dhe nga aty mësuam se mjekët e Durrësit i kishin nisur drejt Tiranës. Unë nuk e di çfarë ka ndodhur në Durrës apo Tiranë. Por më duhet të them se në qendrën tonë shëndetësore u jemi përmbajtur të gjitha protokolleve bazë. Asnjëri prej dy mjekëve që po ndiqen penalisht në gjendje të lirë nuk ka faj, këtë do ta vërtetojë edhe autopsia”, u shpreh Anesti Kamberi.