Tragjedia e 7-vjeçares në plazh, Prokuroria e Vlorës pritet të rëndojë akuzën si ‘vrasje me dashje’

Prokuroria e Vlorës pritet të dalë kundër qëndrimit dhe referimit të policisë së Vlorës që e dorëzoi komisarin Arjan Tase për akuzën e vrasjes nga pakujdesia.

Nga burime të sigurta gazetarja Anila Hoxha mëson se prokurorja Eranda Laze do ta dorëzojë në gjykatë ish-shefin e policisë, Arjan Tase për akuzën e vrasjes me dashje të 7-vjeçares Jonada Avdiu dhe do të kërkojë arrest me burg.

Në këtë mënyrë prokuroria e rëndon gjendjen e ish-shefit të Elbasanit duke ju referuar provave që u mblodhën në vendngjarje.

“Nuk ka vrasje nga pakujdesia, por vrasje me dashje mbasi drejtuesi i mjetit lundrues që rezulton se kishte patentë ishte në dijeni të rrezikut që i sillte qytetarëve kur hyri në atë perimetër”,- thonë burimet e Anila Hoxhes.

Përpara se Jonada të dëmtohej dhe të ndodhte ngjarja shtohet më tej, qytetarët që janë dëshmitare në fashikull i kërkuan llogari policit dhe ai duke manovruar me shpejtësi u përpoq të largohej thonë më tej burimet shumë të sigurta.