Trafiku Urban fillon punën nga e hëna – ky është numri i pasagjerëve që mund të udhëtojnë

Përhapja e pandemisë Covid-19 pothuajse në të gjitha vendet e botës përshirë këtu edhe Kosovën bëri që në vend, të merren masa të shumta për ta parandaluar përhapjen e këtij virusi misterioz, shkruan Insajderi.

Një ndër masat që kishte marrë Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratë Publike, ishte edhe ndalimi i qarkullimit të transportit urban dhe ndërurban në tërë territorin e Kosovës.

Më 23 mars të këtij viti, Komuna e Prishtinës kishte marrë vendim për të reduktuar qarkullimin e trafikut urban në kryeqytet, kjo për shkak që të evitohet përhapja e koronavirusit.

Mirëpo, vetëm pas një jave, me 31 mars 2020, kryetari i kryeqytetit Shpend Ahmeti, kishte marrë një vendim nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike për ndalimin e plotë të qarkullimit të trafikut urban.

Këtë vendim, Ahmeti e kishte kritikuar për faktin se ishte marrë pa konsultim paraprak me të.

“Përderisa kemi qenë përkrahës kryesorë të masave restriktive, dhe po ashtu kemi mbështetur secilin vendim të nivelit qendror, ky vendim është marr pa asnjë konsultim, as edhe 30 sekondësh me Komunën e Prishtinës e as me komunat tjera”, kishte shkruar Ahmeti në rrjetin social Facebook.

E, tashmë kur janë bërë më shumë se një muaj e gjysmë qytetarët përsëri mund të udhëtojnë me autobus të trafikut urban në Prishtinë.

Kjo pasi që ka filluar të bie numri i të infektuarve me koronavirus dhe Qeveria në detyrë ka filluar me lehtësimin e masave, shkruan Insajderi.

Qe nga e hëna më 18 maj do të fillojë edhe zbatimi i fazës së dytë, ku në këtë fazë parashihet të fillojë qarkullimi i trafikut urban dhe ndërurban, por me leje të veçantë.

Këtë e ka bërë të ditur edhe gjatë ditës së djeshme kryeministri në detyrë, Albin Kurti në një konferencë për media.

“Nga e hëna do të hapen flokëtaret, stomatologët dhe fizioterapeutët , transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndërurban si dhe hapja e galerive dhe muzeve. Cdo qytetari do t’i lejohet dalja dy herë në dite nga dy orë sipas numrit të parafundit të letërnjoftimit. Ky sukses në luftimin e pandemisë ka ardhur nga guximi që patëm në luftimin e pandemisë”, ka thënë Kurti.

Kurti, ka deklaruar se deri sa po hyjmë në një fazë të re është e rëndësishme të ruajmë distancën, higjienën dhe mos të shkojmë tek njëri-tjetri, shkruan Injsaderi.

Lidhur me nisjen e punës së “Trafikut Urban” në kryeqytet për Insajderin ka folur, Lulzim Rexhepaj, kryeshef i Ndërmarrjes Publike të Komunës së Prishtinës “Trafiku Urban”.

Rexhepaj,  ka thënë se po presin sqarime shtesë për të parë nëse do të lëvizin të gjithë autobusët urbanë nga e hëna në kryeqytet.

“Vetëm që është ende e paqartë se si do të lëvizin, por deri të hënën pritet me u sqaru kjo. Po bëjmë përgaditjet tona, auobusët janë servisu, janë teknikisht të përgaditur, janë dezinfektu dhe po presin në parking. Kemi vendos edhe njoftimin në hyrje dhe në dalje të autobusit ku udhëtarët patjetër duhet ta kenë të vendosur maskën dhe ky është kushti i parë për të hyrë në autobus të Trafikut Urban, të respekohet distanca dhe të ulen në karriken të cilat janë të lejuara për t’u ulur sepse kemi vendos shenja, pra kemi bërë shenjëzim dhe me këtë kemi treguar se ne cilat vende mund të ulen”, ka thënë Rexhepaj për Insjaderin.

Rexhepaj, ka shpjeguar edhe masat e ndërmarra në autobus në mënyrë që udhëtarët të ndihen të sigurtë.

“Brenda në autobus kemi vendos edhe dezinfektues ku qytetarët munden me i pastru duart edhe në hyrje por edhe ne dalje. Ne jemi përgatitur, tash i takon nivelit qendror, pra Qeverisë dhe Komunës së Prishtinës me na sqaru se si do të lëvizin”, ka deklaruar Rexhepaj.

Mirëpo, ka thënë se numri i udhëtarëve do të jetë më i vogël, në krahasim me muajt e mëparshëm para përhapjes së koronavirusit.

“Numri i udhëtarëve ka qenë vetëm 20 në një autobus”, ka thënë ai.

Derisa sa më 18 maj fillon faza e dytë e lehtësimit të masave, më një  qershor, në fazën e tretë, Qeveria ka planifikuar lejimin e qarkullimit të trafikut urban dhe ndërurban në përgjithësi sikurse kanë qarkulluar më herët.