Shtyhet hapja e stadiumit të ri

Tottenhami do të luajë në “Wembley” deri në fund të vitit

Tottenhami do të vazhdojë t’i zhvillojë ndeshjet si vendas në “Wembley” të paktën deri në fund të vitit me datën e hapjes së stadiumit të ri që mbetet ende mister.

Presidenti i “Spurs”, Daniel Levy ka treguar se datat e fundit nga ndërtuesit e stadiumit nuk janë zbatuar, gjë që ka dërguar situatën deri në shtyerjen e inagurimit.

“Do të kisha dashur të njoftoja për një datë të caktuar hapjen e stadiumit. Jemi të vetëdijshëm për presionin që duhet t’i bëjmë kompanisë kontraktuese, por në të njejtën kohë duhet të iu tregojmë edhe juve tifozëve në cilin stadium do të zhvillohen ndeshjet tona, sidomos ato për Krishtlindje dhe Vitin e Ri. Kemi vendosur që të gjitha ndeshjet deri në datën 29 dhjetor të luhen në Wembley”, zbuloi Levy.

Presidenti i Tottenhamit iu kërkoi falje tifozëve për shtyrjet e vazhdueshme ndërsa tha se data përfundimtare për hapjen e stadiumit të ri të londinezëve do të anuncohet në muajin dhjetor.