Tottenham kërkon ringjallje ndaj liderit, Liverpool

Një javë pas ndalesës së parë në kampionat, në atë barazim 1-1 ndaj Manchester United në “Old Trafford”, Liverpoolin e Jurgen Klopp e pret një tjetër test i vështirë në Premier League, këtë herë ndaj Tottenhamit.

Në “Anfield Road” do të zbresin nesër në orën 17:00 londinezët që sezonin e kaluar diskutuan finalen e Ligës së Kampionëve ndaj “The Reds” dhe pas humbjes atje, do të kërkojnë “t’i vënë shkopinj në rrota” Liverpoolit, në rrugën drejt titullit.

Liverpooli i ka bërë një nisje të jashtëzakonshme kampionatit këtë sezon, teksa regjistroi 8 fitore radhazi dhe vetëm një barazim në 9 javët e para, por tani duhet të rikthehet menjëherë të fitorja, pasi kampionët në fuqi të Manchester Cityt bënë detyrën sot dhe janë vetëm 3 pikë mbrapa në renditje.

Nga ana tjetër Tottenham ka bërë një nisje për t’u harruar me 3 fitore, 3 barazime dhe 3 humbje në 9 javët e para, por ndonëse ka mbetur plot 13 pikë pas Liverpoolit, i ka të gjitha kartat në rregull, për t’u bërë keq “The reds”-ave nesër në “Anfield Road.

Për më tepër, londienzët kanë mbetur plot 8 pikë pas Chelseat të vendit të katërt dhe do të tentojnë të afrohen për të mos humbur kontaktet me zonën Champions, që duket se do të jetë edhe objektivi i këtij sezoni.

Sfida Liverpool-Tottenham do të startojë në orën 17:30 në “Anfield Road”.