Kryetari i zgjedhur i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka falenderuar qytetarët për mbështetjen.
“Na pret shumë punë e përkushtim që qytetit tonë t’ia kthejmë dinjitetin. Por do të punojmë bashkë, në secilin hap e secilën punë, me respekt e pa dallime”, ka shkruar ai.
Ndër të tjera Totaj ka premtuar se ato që kanë bërë qytetarët dje, përmes votimit për të, ai do ti kthejë si nder për Prizrenin nesër.
Reagimi i plotë:
Të dashur prizrenasit e mi,
Nuk mund të ju falënderoj sa duhet për mbështetjen tuaj gjatë gjithë kësaj kohe. Ajo që keni bërë ju dje, ju premtoj se do t’i bëjë nder Prizrenit nesër.
Jam jashtëzakonisht krenar me secilin prej jush për vetëdijen e lartë qytetare e politike. Që përqafuat ndryshimin dhe një të ardhme më të mirë për Prizrenin dhe qytetarët tanë.
Na pret shumë punë e përkushtim që qytetit tonë t’ia kthejmë dinjitetin. Por do të punojmë bashkë, në secilin hap e secilën punë, me respekt e pa dallime.
Kështu do ta bëjmë Prizrenin ashtu siç duhet të jetë – qytet i dashur, i zhvilluar e për të gjithë.
I juaji
Shaqa







