Torturë e trajtim çnjerëzor nga Njësia Speciale në Prizren ndaj qytetarëve duarlidhur brenda stacionit policor, e rrihnin plakun dhe djemtë e tij pa mëshirë

Më 16 korrik 2020, Njësia Speciale e Policisë në Prizren gjatë një aksioni policor në qendër të qytetit, arrestoi pronarin e një lokali bashkë me dy djemtë e tij dhe një punëtor, të cilët duarlidhur u transferuan me furgonin policor në Stacionin Policor në Prizren.

Kjo ngjarje ishte filmuar pjesërisht nga familjarët e të arrestuarve, pamjet e së cilës u publikuan në media. Asokohe kjo ngjarje ishte perceptuar si veprim i ligjshëm i Policisë, ndërkaq të arrestuarit ishin trajtuar si të dyshuar për veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar” dhe “pengim i personit zyrtar”.

Mirëpo, ajo çfarë u pa në publik nuk pasqyroi as për së afërmi të vërtetën e asaj çfarë ndodhi gjatë transportit të të arrestuarve për në stacionin policor dhe brenda tij, shkruan Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali ka siguruar dëshmi ekskluzive të cilat provojnë torturën dhe trajtimin çnjerëzor që përjetuan Imer Kukaj, 59-vjeçar me dy djemtë e tij, Lirim Kukaj dhe Erion Kukaj, si dhe punëtori i lokalit, Nuel Dushi.

Në materialet e siguruara pasqyrohet dhuna e ushtruar nga rreshteri Sami Hoti dhe kolegët e tij, derisa katër personat e prangosur transferoheshin me furgonin e Njësisë Speciale për në stacionin policor në Prizren. Hoti me kolegët e tij përveç që treguan muskujt ndaj qytetarëve duarlidhur, ata pareshtur i fyen e i poshtëruan, duke iu kërkuar edhe që të rriheshin “fer”.