Toni Domgjoni, risia e listës së Kosovës për ndeshjet e tetorit
Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Bernard Challandes, e ka publikuar të premten listën për ndeshjet e Kosovës në muajin tetor.
Risi në listën e 24 futbollistëve të ftuar nga përzgjedhësi zviceran është futbollisti Toni Domgjoni, që luan për Vitessen në Holandë.
Domgjoni është mesfushor 23-vjeçar, ndërsa karrierë më parë ka bërë edhe te Zuerichu në Zvicër.
Domgjoni ka luajtur për grupmoshat zinxhir të përfaqësueses “helvetike”. Ka 18 paraqitje për Zvicrën U21.
Kosova më 9 tetor do të luajë në udhëtim te Suedia, derisa tri ditë më pas e pret Gjeorgjinë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Këto ndeshje janë të rëndësishme për kualifikim në Kampionatin Botëror “Katari 2022”.
Në listën e publikuar të premten mungon Valon Berisha për shkak të lëndimit, derisa është kthyer Bersant Celina, futbollisti i Ipswich Townit.
