Tomë Gashi thotë se ka biseduar më Sveçlën: Ja çfarë më tha për ftesën nga Gjykata

Gjykata Themelore në Prishtinë ka reaguar në lidhje me raportimet e medieve, se është lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Gjykata tha se nuk ka pasur urdhëresë për sjellje me detyrim, por ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt.

Avokati Tomë Gashi, në një intervistë në ‘Info Magazine’ në Klan Kosova, ka thënë që lidhur me këtë ngjarje janë dy versione.

“Janë dy versione lidhur me këtë situatën e gjykimit që është duke u mbajtur te gjyqtari Eroll Gashi, por e vërteta është që Xhelal Sveçla nuk ka pranuar asnjë ftesë për seancën e sotme dhe atë nuk e ka pranuar në tri vende që do të mund gjykata t’i dërgojë. Nuk ka pranuar ftesë në shtëpinë e tij, adresa e tij e banimit ku ai jeton është e njohur për gjykatën dhe prokurorinë, pastaj nuk ka pranuar ftesë edhe në Lëvizjen Vetëvendosje, që do të ishte alternativa e dytë. Poashtu, as në MPJ, që do të ishte alternativa e tretë e dërgimit të ftesës për seancën e sotme”, tha ai.

Tutje Gashi ka thënë se ka biseduar pak më herët me Sveçlën, i cili e ka konfirmuar, sipas tij, se nuk ka pasur asnjë ftesë.

“Pak më herët, kam biseduar me Sveçlën dhe është konfirmuar se ai asnjëherë nuk ka pranuar asnjë ftesë. Për këtë arsye, gjyqtari ka vepruar drejt, duke e shtyrë këtë seancë në kohë të pacaktuar dhe do të verifikojë përmes shërbimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë se si është situata. Për aktakuzën që ekziston, të gjithë e dimë që është një aktakuzë që është ngritur kohë më parë dhe Sveçla, në momentin që do të marrë ftesë dhe pa kurrfarë problemi, do të lajmërohet në gjykatë”.

“Mendoj që mediume të caktuara, për shkak të ekskluzivitetit, ndoshta mundohen që sa më shpejt që është e mundur të plasojnë lajme të tilla, që sjellin publicitet por ja që në këtë rast ia kanë huqur. Dihet që edhe Gjykata Themelore e ka mohuar lëshimin e një urdhri për një sjellje me dhunë të kujtdo qoftë”, tha Gashi.