Tollovia në rrugët e Prishtinës, Gjinovci del me propozim për Ramën

Testimi i së premtes i unazës qendrore në kryeqytet ka shkaktuar një tollovi të madhe dhe radhë të gjata të automjeteve.

Lidhur me këto testime Rron Gjinovci ka dalë me një propozim për Kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën.

“Testimi që po bohet me njerëz në shekullin 21 mundet me u bo me programim dhe teknlogji kogja te thjeshte. Jon dofar shirita që qitën në tokë edhe e masin sa kerre po kalojnë nëpër ta. Domeha i vendosë ata shirita i len ni muj, mandej te dhanat i shtin ne kompjuter dhe me program projekton modalitete te ndryshme në kahjen e rrugeve dhe te del 3D qysh kish mu dok qarkullimi i kerreve ne ato rruge. Perparo o Perparim!”, shkruan ai në Facebook.

Ndryshe, kryetari Rama ka thënë se testim i sotshëm ka ndodhur për shkak që të premteve kryeqyteti është më i ngarkuar me vetura, andaj ka qene i nevojshëm për të shikuar dhe kuptuar problemet në komunikacionin e Prishtinës.

“Kemi bërë dhe teste të mëparshme gjatë vikendit për ta testuar qendrën propozimet të cilat kanë ardhur si pjesë e testimeve për mobiliet, si pjesë e planit për testimin e mobilitetit ku e kemi bërë testimin të shtunën, të dielën, faktikisht kemi bërë për dy javë, ku para se të merret vendimi duhet që të testohet edhe gjatë javës. Kjo na tregon pikat e ndryshme ku janë pika që krijojnë probleme, pika që duhet të ndryshohen, me u transformuar për të krijuar një komunikim më të lirshëm për kryeqytetin, për këtë arsye normal që është dashur të testohet edhe gjatë javës. Gjatë ditës së sotme, e premtja që shumë herë është me e ngarkuara për ta shikuar ku kemi pasur probleme më të shumta, sot kemi informata të shumta prej të gjitha pikave të kryeqytetit, jemi duke ‘incinzuar’ edhe me dron, kemi edhe ekipe në terren duke marrë informata se si po ecë trafiku dhe ku janë problemet”, ka thënë Rama.

Ai ka përmendur edhe projektet për rrugën A, ku siç ka thënë, në fund do të bëjnë një raport përfundimtar për këtë testim.

“Ne duhet të bëjmë testimet përveç atyre që i kemi bërë në aspektin e kompjuterëve duhet të bëhen edhe në terren sepse kemi një numër të madh me ditur dhe nga ku po vjen trafiku, sot kemi informata të sakta se ku janë problemet prej nga po krijohen problemet në mënyrë që të kemi këtë informatë për përmirësimin e gjendjes në trafik. Kemi paralelisht dhe projekte që i kemi dhe janë më se të nevojshme të rrugës A, rruga B e ndërlidhur me rrugën A, po ashtu edhe unazës së mesme që janë pjesë të procesit për transformim të kryeqytetit…Ekipet janë në terren normal që do të vijmë me një raport final në fund të eksperimentimit”, u shpreh ai.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se është normale që në fillim të këtij testimit të ketë kolona, por sipas tij, qytetarët duhet të presin dhe më pas do t’i shohin ndryshimet pozitive që do të bëhen.

Edhe në muajt prill dhe maj gjatë ditëve të vikendit është bërë një testim i tillë i qarkores njëkahore në Prishtinë.