Tolaj thotë se vala e tretë mund të evitohej, tregon se kush është shkaktar i saj

Infektologu, Ilir Tolaj ka thënë se masat restriktive në vazhdueshmëri kanë bërë që Kosova si vend të kalojë më lehtë pandeminë Covid-19.

Ai ka thënë se shkeljet e masave kanë bërë që të ketë raste më shumë.

“Periudha të shkeljes më brutale të masave anti covid, ato që kanë qenë. Ajo që e karakterizon është veprimi i autoriteteve shëndetësore në raport me pandeminë dhe valët e caktuara të Covid. Fillimisht kemi pasur mbyllje totale dhe masa ekstreme që mund të arsyetohen pasi njohuritë ishin të kufizuara. Ajo që nuk falet është se asnjë autoritet nuk deshi të fut trurin në funksion dhe t’i kuptojë kushtet e Kosovës cilat janë. Më vonë kemi pasur masat e relaksuara të cilat nuk kanë qenë të mbikëqyrura”, ka thënë ai në T7.

Tutje ai vë në faj tubimet partiake. Ai thotë se ato janë shkaktare të valës së tretë e cila po godet Kosovën.

“Me masat restriktive të vazhdueshme, por duke përmendur shkeljet nga figurat e njohura të politikës, i kanë ndihmuar Kosovës ta kalojë më lehtë këtë pandemi. Duhet thënë se pandemia e ka ecurinë e vet. Masat nuk mund ta mundin Covid-19. Por duhet thënë se vala e tretë në të cilën jemi është si shkak i tubimeve politike. Ato ishin vatër e shëprndarjes. Dua të di cili politikan ka fytyrë të na fusë përsëri në mbyllje totale duke marrë parasysh atë që ka ndodhur. Janë dy mënyra për ta kaluar Covidin. Njëra është që të kemi imunitet të tufës, e tjetra është vaksinimi”, shtoi ai.