Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për deputet, Arber Tolaj, ka premtuar angazhim të drejtpërdrejtë për përmirësimin e mirëqenies ekonomike dhe sociale të policëve dhe ushtarëve të Kosovës, duke theksuar se ata janë shtylla kryesore e funksionimit të shtetit.

Tolaj deklaroi se AAK do të angazhohet për paga më të mira, kushte më dinjitoze të punës dhe sigurime shëndetësore për pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Ndonëse policët dhe ushtarët janë forca e një shteti, ata u lanë në harresë.Në mungesë të përkrahjes 2.200 policë lëshuan vendin e tyre të punës që nga themelimi i saj, kurse për 3 vjetët e fundit mbi 500 ushtarë e lanë FSK-në.Ne si AAK, këtë situatë e trajtojmë si alarmante dhe do të angazhohemi për mirëqenie më të mirë ekonomike për policët e ushtarët tanë, por edhe për sigurime shëndetësore për ta, ngase ata janë shtyllë e shtetit.”, ka shkruar Tolaj.