Ka nisur tanimë protesta e paralajmëruar nga opozita këtë mbrëmje të 11 korrikut para Kryeministrisë.
Dhjetëra qytetarë nga i gjithë vendi me pankarta kundër qeverisë nëpër duar janë mbledhur teksa presin fjalën e deputetëve opozitar, për t’u përmbyllur me fjalën e kreut demokrat Sali Berisha nëpërmjet një lidhjeje të drejtpërdrejtë.
Përfaqësuesit politik të Partisë Demokratike ndërkaq, u nisën nga selia e partisë për t’iu bashkuar protestuesve në bulevardin Dëshmorët e Kombit, ku i janë afruar podiumit nga ku do të mbahen fjalimet.
Ndërkohë, protestuesve u janë bashkuar edhe mbështetësit e opozitës që kanë mbërritur nga qarqe të ndryshme të vendit – ashtu sikurse ishte thirrur nga opozita për një tubim kombëtar.
Mes tyre shihen edhe shumë të rinj.
Pak para nisjes së protestës, deputetja e PD-së Dhurata Çupi, ka thënë se opozita sot është më e bashkuar se kurrë.
Sipas saj, e keqja me këtë qeveri nuk njeh limit dhe Shqipëria sot vetëm lëngon.
“Bulevardi do të mbushet, sepse e keqja nuk po njeh limite. Shëndetësia dhe arsimi janë në situatë tepër të rëndë”.
Sakaq, forcat policore janë vënë në gatishmëri që më parë, të dislokuar përgjatë perimetrit përballë dhe në prapavijë të godinës së Kryeministrisë.
Berisha në fjalën e mbajtur ditë më parë në mbledhjen e Kryesisë vuri theksin te bashkimi rreth idealeve, kontributeve dhe mirëpritja e të gjithë atyre që ndër vite dhanë kontribut të pamohueshëm në Partinë Demokratike.
“Ky nuk është një bashkim në festë, por një bashkim në betejë të një rëndësie jetike, vendimtare për fatin e Shqipërisë dhe kombit shqiptar”.
Për të, “një front i gjerë dhe i bashkuar opozitar është i një rëndësie vendimtare përballë Edi Ramës, i cili ka humbur çdo gjë, ligj, moral dhe ka vetëm narkobandat e tij me pushtet dhe jashtë pushteti që qëndron në zyrë”.
Ai kërkoi mobilizim dhe angazhim maksimal të strukturave dhe garantoi shqiptarët se “shumë më shpejt se mund ta mendohet, qeveria teknike krijohet në Shqipëri”.







