Promovim i qytetit përmes fotografive

Tiranë, festival për promovimin e qytetit përmes fotografive

Qëllimi i këtij festivali është të promovojë Tiranën përmes artit të fotografisë dhe të edukojë të rinjtë me pasionin për fotografinë.

Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë është hapur “Tirana Photo Festival”, i cili synon të promovojë kryeqytetin shqiptar përmes artit të fotografisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ky aktivitet organizohet për herë të parë në Shqipëri me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës dhe institucioneve të tjera kulturore në Tiranë. Aktiviteti do të qëndrojë i hapur për shtatë ditë me radhë.

Qëllimi i këtij festivali është të promovojë Tiranën përmes artit të fotografisë dhe të edukojë të rinjtë me pasionin për fotografinë, ndërsa në ditën e parë ekspozita e fotografive tërhoqi interesin e qytetarëve.

Programi festivalit përfshin ekspozita fotografike, workshope, forume, konferenca dhe në përfundim të tij do të ndahen tre çmime të mëdha për fotot më të bukura të Tiranës.

Festivali përfshin një ekspozitë fotografike me 100 fotot më të bukura të Tiranës, të zgjedhur përmes një konkursi në mediat sociale, ku ka pasur mijëra foto të postuara.

Fotot që do të ekspozohen në këtë festival janë përzgjedhur nga një juri profesioniste, të cilat janë ndarë në tre kategori: qyteti, njerëzit dhe natyra.

Fotografët pjesëmarrës janë profesionistë dhe amatorë, ndërsa fotot janë realizuar si me aparate celulare, me kamera apo me dron. Realizimi i tyre në këto forma është për t’u dhënë mundësi të gjithëve të bëhen pjesë e këtij festivali me qëllim promovimin e Tiranës.

Ndërkohë ekspozita përgjatë shtatë ditëve do të vizitohet edhe nga nxënësit, si dhe nga përfaqësuesit e institucioneve kulturore të Shqipërisë.