Tifozët e Kosovës e pastruan stadiumin pas fitores kundër Malit të Zi

Tifozët e Japonisë ishin bërë të famshëm gjatë Kupës së Botës në Rusi pasi që i pastronin stadiumet në përfundim të ndeshjeve të Kombëtares së tyre. Të njëjtin veprim mbrëmë në “Fadil Vokrri” e bënë edhe disa tifozë kosovarë.

Kosova arriti ta sigurojë mbrëmë një fitore shumë të rëndësishme kundër Malit të Zi për ëndrrat për kualifikim në Kampionatin Evropian, që do të zhvillohen verën e vitit të ardhshëm.

Djemtë e Bernard Challandes arritën ta gjejnë golin e parë qysh në minutën e dhjetë të ndeshje, përmes Amir Rrrahmanit, e atë të dytën në minutën e 34-të, përmes Vedat Muriqit.

Për shkaqe sigurie, përderisa tifozët e Malit të Zi dilnin nga stadiumi “Fadil Vokrri”, tifozët kosovarë ishin detyruar të mbeten brenda stadiumit. Disa prej tyre e shfrytëzuan këtë ngjarje që t’i mblidhnin mbeturinat në “Fadil Vokrri”.

Së fundi, kryetari i “Dardanëve”, Lulzim Berisha, kërkoi që të rritej numri i ulëseve në stadiumin “Fadil Vokrri”, pasi që numri i biletave po është shumë i vogël në krahasim me numrin e tifozëve të interesuar për ta përcjellë nga afër këtë ndeshje.

Tifozët e Kosovës po e kanë të vështirë të blejnë bileta përmes sistemit online tiks.app, pasi që aty biletat po shiten për një kohë shumë të shkurtë. Megjithatë, shumë prej tyre po arrijnë të blejnë bileta përmes tregut të zi.

Biletat për ndeshjet e Kosovës shpeshherë janë gjetur duke u shitur nëpër faqe online me çmime shumë më të larta sesa çmimi origjinal i biletës. Kjo dukuri e ka nxitur Prokurorinë Speciale të Kosovës t’i nisë hetimet për biletat, gjë që u konfirmua sot.

loading…