Thyhen restorantet e KFC-së në Gjakovë, Pejë, Prizren e Ferizaj, vidhen mijëra euro

Për vetëm tre ditë, në katër restorante të KFC-së në qytetet më të mëdha të Kosovës u vodhën në pikë të natës mijëra euro nga hajnat. Policia e Kosovës ka filluar hetimet në të gjitha këto komuna, për të zbardhur atë se çka ka ndodhur. Në anën tjetër, kompania, që u bë cak i hajnave, ka thënë për Gazetën Express se këto plaçkitje janë kërcënim për biznesin dhe shoqërinë, derisa vlerëson se ka arritur në përmasa alarmuese.

Nga data 20 deri më 23 shtator, katër pika të restoranteve KFC, në komunat Gjakovë, Pejë, Prizren e Ferizaj, u bënë cak i hajnave që në orët e para të mëngjesit. Disa persona, ende të paidentifikuar pasi thyen dyert e lokaleve, vodhën mijëra euro nga arkat e restoranteve KFC në këto komuna.

Rasti i parë u raportua në Komunën e Pejës, derisa ka ndodhur me datë 20 të këtij muaji, në orën 02:00 të mëngjesit.

Polica e Rajonit të Pejës ka konfirmuar në një përgjigje për Gazetën Express se në restorantin KFC nga menaxheri kanë marrë një lajmërim për vjedhje, derisa, momentalisht janë duke u bërë hetime për vjedhje të rëndë.

Express merr vesh se bëhet fjalë për më shumë se 5 mijë euro para të gatshme, të vjedhura nga arka e restorantit.

“Rasti është duke u hetuar, është cilësuar vjedhje e rëndë në rrugën “Zahir Pajaziti” në orën 08:00 është lajmëruar rasti me datë 20.9.2019. Viktima ka lajmëruar në polici rreth orës 08:10 se persona të panjohur kanë vjedhur një shumë të konsideruar të parave”, ka bërë të ditur për Express, zëdhënësi i policisë së rajonit të Pejës, Driton Rugova.

Vjedhja e dytë është raportuar afër komunës së Pejës, në pikën që KFC ka në Gjakovë. Po në të njëjtën natë kur në Pejë hajnat vodhën më shumë se 5 mijë euro, në Gjakovë pika e KFC-së e pati fatin e njëjtë.

Rreth orës 03:00 të mëngjesit, një orë pas vjedhjes që u krye në Pejë, hajnat vodhën kasafortën e restorantit KFC në Gjakovë, derisa merret vesh se aty kishte të holla më shumë se 1 mijë euro, para të gatshme.

“Me datë 20.09.2019 në ora 08:30 policia në Gjakovë ka marrë informacion për një rast vjedhje të ndodhur në rrugën “UÇK” gjegjësisht në lokalin “KFC”. Në vendin e ngjarjes kanë takuar ankuesin i cili ka raportuar se nga lokali i tij persona të panjohur kanë vjedhur kasafortën me një shumë të konsiderueshme parash, paraprakisht duke hapur me forcë derën e lokalit. Policia ka bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe ka iniciuar rastin e klasifikuar “Vjedhje e rëndë”. Sektori i hetimeve nga stacioni policor në Gjakovë në bashkëpunim me prokurorin e shtetit po punojnë intensivisht në identifikimin dhe arrestimin e kryesve të veprës”, ka bërë të ditur për Gazetën Express, zëdhënësja e policisë në Gjakovë, Lirije Podrimaj.

Hajnat nuk u mjaftuan me kaq, derisa Policia e Kosovës ka konfirmuar se vjedhja e tretë ndodhi në Komunën e Ferizajt.

Kësaj here ata që ia mësynë restoranteve të KFC morën një shumë mjaft të madhe të parave, saktësisht 10 mijë euro para të gatshme nga arka, derisa, nga kutia e bakshisheve vodhën gati 300 euro. Dyshimet janë se vjedhjen, siç është parë në kamera të sigurisë e kanë kryer tre persona.

“Sot është raportuar rasti që rreth orës 02:47 në rrugën “Amet Kaçiku” është raportuar vjedhje e rëndë dyshohet se tre persona kanë hyrë në lokalet e KFC dhe aty kanë marrë një kasafortë me para të gatshme që sipas menaxherit janë 10 mijë euro edhe një kuti për bakshish 200-300 euro. Janë largu në drejtim të panjohur policia në vend të ngjarjes janë tu marrë të gjitha veprimet”, ka thënë për Gazetën Express, Agim Gashi, zëdhënës i policisë në Komunën e Ferizajt.

Orët e para të së hënës, hajnat tentuan që të vjedhin edhe pikën e restorantit KFC në Prizren, por, që kjo sipas konfirmimit rasti mbeti vjedhje në tentativë.

“Vjedhje e rënd në tentativë, hetuesit e stacionit janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet në bashkëpunim me dëshmitarë dhe në bazë të kamerave do të shohim se kush mund të jenë personat. Është ka punohet janë në fazë fillestare duhet të kryhen ekzaminimet. Ata janë largu për shkak se ka qenë informacion se kanë me reaguar njësitet tona vepra ka mbet në tentativë për shkak të reagimit të shpejtë. Hetuesit janë duke i grumbulluar të gjitha provat”, ka deklaruar për Gazetën Express, Vesel Gashi, zëdhënës i policisë në Prizren.

Lidhur me këtë çështje, Express ka kontaktuar edhe kompaninë KFC. Të njëjtët përmes një njoftimi kanë deklaruar se për të gjitha rastet janë drejtuar te organet e rendit, mirëpo, thonë se ende nuk kanë përgjigje se kush mund ta ketë kryer krimin.

“Sektori i industrisë së ushqimit në Kosovë është një nga sektorët me rol shumë të rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë së vendit, për lobimin e vendit në shtetet e tjera të botës si dhe për stabilitetin ekonomik dhe atë social të tij. Një vend i qëndrueshëm dhe i fuqishëm konsiderohet parakusht për tërheqjen dhe për rritjen e investimeve të huaja direkte. Marrë parasysh këtë, edhe kompania KAN sh.p.k.- KFC Kosova, ndërkombëtarisht e njohur ka hyrë në tregun Kosovar.

Gjatë pesë ditëve të fundit në restorantet e KFC Kosova kanë ndodhur katër vjedhje të njëpasnjëshme në Gjakovë, Pejë, Ferizaj dhe Prizren.

Për të gjitha këto vjedhje është lajmëruar Policia Rajonale e Kosovës së secilit qytet përkatës, ku kanë hapur hetime, mirëpo ende nuk ka ndonjë përgjigje konkrete, përderisa vjedhjet kanë vazhduar edhe pas rastit të parë”, kanë thënë nga kompania KFC.

Tutje, konsiderojnë se këto vjedhje janë kërcënim për biznesin, derisa, shprehen se kanë arritur përmasa alarmuese.

“Për fat të keq, këto plaçkitje të cilat konsiderohen kërcënim për biznesin dhe shoqërinë, kanë arritur përmasa alarmuese. Shqetësimi për këtë çështje konsiderohet jo vetëm goditje kundër zhvillimit ekonomik të vendit, por cenon sigurinë e punëtorëve të cilët japin kontributin e tyre në këtë kompani dhe vullnetin e njerëzve që janë të gatshëm të investojnë në këtë vend. Vjedhjet në restorantet e KFC-së jo vetëm që po krijojnë një mjedis të pasigurt në sytë e qytetarëve, por po krijojnë një bindje pasigurie dhe ndjesi vetmie, pa mbështetje nga institucionet dhe personat kompetent. Nga ana tjetër, në sytë e investitorëve të huaj, këto plaçkitje po japin një bindje të paqëndrueshmërisë së rendit dhe sigurisë publike të vendit tonë, që do të thotë se dëmi më i madh po u shkaktohet shtetit të Kosovës, qytetarëve të saj, pastaj edhe bizneseve”, thonë nga kjo kompani.

loading…