Përplasja e fuqishme ndërmjet Dardan Molliqajt dhe Glauk Konjufcës ka vazhduar edhe në fund të javës së kaluar.
Dy ish bashkëpartiakët dhe ish miqtë, deputetë në Kuvendin e Kosovës, po e akuzojnë njëri-tjetrin për shpifje.
Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj në dy raste si në Kuvend ashtu edhe në media, ka thënë se shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka qenë pjesëtar i SHIK-ut në vitin e parë pas luftës.
Sipas Molliqajt, Konjufca si “punëtor” i Kadri Veselit, ish shefit të SHIK-ut, pagën e kishte 150 marka dhe se ishte larguar nga ky formacion gjysmë ilegal pas një viti, shkruan Ballkani.info.
Këto akuza i ka hedhur poshtë po ashtu në dy raste Konjfuca. Këto pretendime të Molliqajt ai i ka quajtur shpije dhe për këtë e ka paditur në Gjykatë deputetin e PSD-së.
E vetë Kadri Veseli ende nuk është deklaruar për të konfirmuar ose për të mohuar nëse Konjufca ka punuar nën urdhrat e tij.
Veseli në një nga seancat e kaluara të Kuvendit të Kosovës kishte thënë se pas deklaratave të Molliqajt, Konjufcës i ka rënë autoriteti.
Dyshja Veseli-Konjufca, të cilët në seancat e Kuvendit janë të ulur përballë njëri-tjetrit, jo gjithmonë janë të tensionuar siç mund të duken në transmetimet e drejtpërdrejta televizive.

Ka momente kur ata i buzëqeshin njëri-tjetrit, siç e tregon edhe kjo fotografi.
Thonë se një fotografi vlen sa 1000 fjalë! /Ballkani.info/







