Pak orë pasi Izraeli nisi valën e tij të parë të sulmeve ndaj Iranit më 13 qershor, duke vrarë komandantë të shquar ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë, inteligjenca izraelite filloi të telefononte zyrtarë të lartë iranianë. Qëllimi ishte destabilizimi i regjimit teokratik në Teheran, sipas njerëzve të njohur me operacionin, raporton Washington Post.

Zyrtarët izraelitë të sigurisë që flasin persisht kontaktuan zyrtarët në celularët e tyre dhe i paralajmëruan se edhe ata do të vriteshin nëse do të vazhdonin të mbështesnin regjimin e liderit suprem Ali Khamenei. Një burim vlerësoi se më shumë se 20 persona në pozita të larta morën thirrje të tilla, transmeton Ballkani.info.

“Zoti ju ruajtë”

Washington Post ka siguruar një regjistrim audio dhe transkript të një bisede të tillë më 13 qershor. Në regjistrim, një operativ izraelit i thotë një gjenerali të lartë iranian të afërt me regjimin: “Ke 12 orë për të ikur me gruan dhe fëmijën tënd. Përndryshe, ti je në listën tonë”.

Operativi shton më pas: “Ne jemi më afër teje sesa ena e gjakut në qafë. (parafrazimi i një vargu nga Kurani, red). Gjenerali, një anëtar i Gardës Revolucionare iraniane, u udhëzua të regjistronte një video brenda 12 orëve në të cilën ai hoqi dorë nga qeveria iraniane.

“Si ta dërgoj tek ju?” pyeti gjenerali. “Do t’ju ​​dërgoj një ID Telegram”, iu përgjigj operativi. “Dërgojeni.” Nuk dihet nëse videoja është regjistruar apo dërguar ndonjëherë.

“Qëllimi i operacionit ishte të frikësonte dhe të ngatërronte udhëheqjen në Teheran”

Sipas një burimi, gjenerali është ende gjallë dhe në Iran, ndërsa një tjetër thotë se qëllimi kryesor i operacionit ishte të frikësonte dhe të ngatërronte udhëheqjen në Teheran. Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Regjistrimi dhe një transkript në anglisht iu dha Washington Post nga një shtetas izraelit i cili pretendon se përmbajtja e regjistrimit nuk është ndryshuar në asnjë mënyrë, përveç zërit të operativit izraelit.

Gazeta konfirmoi identitetin e gjeneralit iranian, por nuk e publikoi atë dhe zëri i tij u hoq për të mbrojtur identitetin e tij. Thirrjet drejtuar zyrtarëve ushtarakë dhe të sigurisë iraniane ishin pjesë e një operacioni më të gjerë të fshehtë që pasoi sulmet ushtarake izraelite në objektet bërthamore, objektet e prodhimit të armëve dhe sistemet e lëshimit. /Ballkani.info/