Thirrja e Jakup Krasniqit: Intelektualë, ejani ta bëjmë ndryshimin me Nismën

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi u ka bërë thirrje intelektualëve dhe të rinjve që t’i bashkohen kësaj partie.

Sipas tij, me Nismën bëhet ndryshimi.

“Me njerëzit që dinë, donë e kanë çka të investojnë për ndryshime shoqërore e solidaritet njerëzor. Me njerëz që i kërkon vendi e jo me ata që vrapojnë të grabisin atë që nuk u takon. Secilit i takon puna që e meriton”, ka shkruar Krasniqi.

Postimi i plotë:

BASHKIMI SOCIALDEMOKRAT E BËNË FUQINË, DREJTËSINË E SOLIDARITETIN E KOMBIT TONË

Ne, para pesë viteve e kemi nisur një rrugë të ri politik me qëllim që në shoqërinë tonë të ndërtojmë një solidaritet të ri në mes qytetarëve tanë, solidaritet të mishëruar në një kontratë të re sociale, ku çdo e drejtë e njeriut tonë është një përgjegjësi e një numri shumë herë më të madh të bashkëqytetarëve tanë. Me NE, NISMËN Socialdemokrate, askush nuk mund të dyshoj se na mungon dija, dashuria, drejtësia, se na mungon përkushtimi dhe vendosmëria për ta ndryshuar gjendjen në qeverisje dhe ndërtuar shtetin së drejtës. Rrugëtimi ynë jetësor e dëshmon ketë. Puna që po e bëjmë me përkushtim e konfirmon ketë.

Realiteti ynë është në kërkim të një partie të orientimit të majtë socialdemokrat. Një parti rreth se cilës bashkohen segmentet e organizuar të shoqërisë sonë të orientimit të majtë, që pajtohen me parimet politike, ekonomike e sociale te Socialdemokracisë. Me njerëzit që dinë, donë e kanë çka të investojnë për ndryshime shoqërore e solidaritet njerëzor. Me njerëz që i kërkon vendi e jo me ata që vrapojnë të grabisin atë që nuk u takon. Secilit i takon puna që e meriton.

Bashkimi i elitave intelektuale të kombit në një parti socialdemokrate progresiste, pra i atyre intelektualëve, të rinj e të vjetër që kanë bindje socialdemokrate, të parimeve socialdemokrate, mund dhe duhet ta sjellin ndryshimin dhe progresin në shoqërinë tonë. Bashkimi i Socialdemokratëve e bënë fuqinë, drejtësinë dhe solidaritetin e kombit tonë .

Intelektualë, të ri e të reja socialdemokrat, ejani ta bëjmë ndryshimin!