“Thirrja e ambasadorit Hovenier duhet të merret me seriozitet”

Pas thirrjes së ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, që Qeveria e Kosovës të nisë urgjentisht negociatat për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, njohësit e çështjeve politike thonë se thirrjet duhet të merren me seriozitet. Ndërsa, theksohet se tani është e rëndësishme që të punohet në marrëveshjen përfundimtare me njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Faktori ndërkombëtar po vazhdon t’i bëjë thirrje Qeverisë së Kosovës që të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Këtë e kërkoi edhe ambasadori amerikan në Kosovë, duke thënë se Qeveria duhet të nisë urgjentisht negociatat për këtë çështje, ndërsa thekson se Asociacioni nuk duhet të jetë diçka që nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Profesori i negocimit ndërkombëtar në Paris, Valon Murtezaj, tha për Radio Kosovën se institucionet e Kosovës duhet t’i marrin seriozisht thirrjet e ndërkombëtarëve, derisa theksoi se tani është më e rëndësishme që të punohet në marrëveshjen përfundimtare ndërmjet Kosovës e Serbisë.

“Është detyrë dhe përgjegjësi e Qeverisë dhe institucioneve të tjera të Kosovës që të merren me këtë çështje. Ajo çka është e rëndësishme është që të punohet në marrëveshjen përfundimtare me njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe jo që të shkëputen segmente apo elemente të veçanta, duke krijuar copëza të ndryshme, sepse kjo pastaj e rritë potencialin për kompromis të cilat do të ishte e vështirë të ndaleshin njëra pas tjetrës. Prandaj, fokusi duhet të jetë në marrëveshje të përgjithshme, ku adresohet pastaj secili element veç e veç në këtë kuadër, përfshirë edhe Asociacioni dhe marrëveshje të tjera”, deklaroi Murtezaj.

Ndërkohë, profesori i shkencave politike, Nexhmedin Spahiu, ka thënë se Kosova nuk duhet të japë Asociacionin pa e marrë njohjen nga Serbia, pasi sipas tij, Serbia mund të kërkojë diçka tjetër më vonë.

“Nëse njohja e Kosovës nga Serbia ka me qenë vetëm premtim në të ardhmen, atëherë edhe asociacioni duhet të jetë vetëm premtim për të ardhmen dhe kurrsesi zbatim i menjëhershëm siç ka ndodhur me Planin e Ahtisarit. Është dashur vetëm të premtojë, të thotë që “po kur të na njohë Serbia, edhe ne do t’i krijojmë komunat me shumicë serbe siç jemi marrë vesh në Vjenë, e të tjera, të cilat Kosova vetëm i ka bërë e nuk mund të kthehet mbrapa”, deklaroi Spahiu.

Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është paraparë me marrëveshjen e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të vitit 2013.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë. Por, në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti që shumë pika të kësaj marrëveshjeje janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.