“Konspiracion” apo një parashikim mund të quhen deklaratat e famshme të liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, ku sa ishte kryeministër kishte turbulluar opinionin se me “thika mbi hartën e Kosovës” po qëndrojnë në Shtëpinë e Bardhë për ta ndarë Kosovën.
Deklaratat e njëpasnjëshme të Kurtit për “thika mbi harta” shkaktoi panik tek disa qytetarë dhe pati reagime të shumta se Kosova po ndahet, madje filluan edhe linçimet ndaj emisarit Richard Grenell se është njëri nga personat që është involvuar në ndarjen e Kosovës.
Ish-kryeministri Kurti kishte thënë disa herë se nuk shkon në Shtëpinë e Bardhë pasi aty që dy vite po qëndrojnë politikanë me “thika mbi hartën e Kosovës”.
“Marrëveshja është e gatshme ku këta me thika mbi hartën e Kosovës kanë qëndruar për dy vjet e tash mua duan të më ftojnë t’i bashkohem tavolinës për kërcitjen e tapës së shampanjës, unë nuk e bëj këtë“, kishte thënë Kurti në TV Dukagjinit gjatë qershorit.
Madje, Kurti kishte deklaruar edhe në Kuvendin e Kosovës se është gabim të shkohet në Shtëpinë e Bardhë pasi marrëveshja është e gatshme në tavolinë.
“Po e theksoj se është gabim të shkohet në Shtëpinë e Bardhë në një tavolinë ku e ke marrëveshjen e gatshme midis dy presidenteve, e nëse t’i s’pajtohesh duhesh të dalësh në mënyrë demonstrative e të flasësh, atëherë dëmtohen marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, kishte thënë Kurti gjatë marsit.
Kujtojmë se marrëveshja e shumë përfolur nga Kurti, është nënshkruar dje në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe Serbisë, madje marrëveshja është bërë publike dhe nuk ka pasur as ndarje e as thika mbi harta.
Garantues i kësaj marrëveshje ekonomike mes dy vendeve janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vet presidenti Donald Trump, në këtë marrëveshje është përfshirë edhe njohja e Kosovës nga Izraeli.







