Therja që përfundoi me vrasje në Hajvali, krejt çka dihet

Një i ri është therur mbrëmë për vdekje në Hajvali të Prishtinës. Ai s’ka mundur t’iu mbijetojë plagëve të marra dhe ka vdekur në Klinikën e Emergjencës të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës.

Lajmin për Express e ka konfirmuar mbrëmë mjeku kujdestar në Emergjencë, Avdush Bajgora.

Sipas Bajgorës, viktima kishte arritur në klinikë me plagë të rënda.

“Po ka vdekur. Kemi ndërhyrë për 1 orë e gjysmë. Ai ka ardhur me plagë të rënda”, ka deklaruar Bajgora.

Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ahmeti ka treguar se lidhur me këtë rast janë arrestuar dy persona të dyshuar, ndërkohë që hetuesit policor kanë nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti.

“Sot rreth orës 22 :00, kemi marrë informatën për një përleshje fizike në Hajvali. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast nga një mjet i mprehtë është plagosur një person. I njëjti është dërguar për trajtim mjekësor”, tha Ahmeti.