Therja e kafshëve te tregu i veturave, rrezikon shëndetin e qytetarëve

Me dhjetëra kafshë, për çdo fundjavë shiten në tregun e veturave në Prishtinë. Përveç shitjes, shumica e tyre theren në ambiente që nuk plotësojnë aspak kushtet higjienike dhe madje theren nga persona të mitur.

Mjekët veterinarë fajësojnë AVUK-in, ndërsa këta të fundit nuk prononcohen me arsyetimin se nuk janë kompetentë për të folur lidhur me problemin. Derisa Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve thotë se kërkesat e saj për këto shkelje vazhdimisht kanë hasur në vesh të shurdhër nga AVUK.

Mjeku veterinar Ilirian Jusufi, në një bisedë me KosovaPress, në lidhje me këtë e ka fajësuar Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit, duke shtuar se therjet nuk duhet të bëhen në ambiente të hapura.

“Këto duhen të bëhen në thertore të veçanta të cilat janë të standardizuara, nuk guxon assesi të lejohet. Është punë e Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës. Ata janë përgjegjës, po ashtu edhe inspektorati për ndalimin sa më të shpejtë të therjeve në këtë formë. Nuk lejohet, sepse e para për vendosjen e një vendi të caktuar është përgjegjës AUV, nuk lejohet që therja të bëhet në ambiente të hapura, ku derdhet gjaku dhe kontaminohet ambienti. Për shkak se edhe mishi nuk e ka vlerën ushqyese siç duhet ta ketë, nuk guxon të theret në ambiente të hapura. Ai mish theret jashtë çdo standardi, ku nuk ka kushte të higjienës”, ka thënë Jusufi.