Themelohet Grupi Punues për trajtimin e qenve endacakë në Prishtinë

Çështja e qenve endacakë në Prishtinë është problematik ndër vite.

Shumë prej qytetarëve vazhdimisht ankohen për problemet që iu shfaqen pikërisht nga këta qenë endacakë.

E lidhur me këtë sot nga Komuna e Prishtinës kanë njoftuar se pas themelimit të Task-Forces si grup i brendshëm komunal, sot, u themelua edhe Grupi Punues për trajtimin e qenve endacak në Komunën e Prishtinës me akterë nga brenda dhe jashtë strukturave komunale.

Grupi Punues përbëhet nga:

Komuna e Prishtinës – kryesuesi;

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) – anëtar;

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) – anëtar;

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK) – anëtar;

Oda e Veterinerëve të Kosovës (OVK) – anëtar;

Policia e Kosovës (PK) – anëtar;

Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve (FDK), si ombrellë e koordinuar me shoqatat tjera – anëtar;

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK).

“Komuna e Prishtinës ka zhvilluar strategji afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë për zgjidhjen e problemit të qenve endacak, të cilat do të inkorporohen në strategjinë kombëtare.
MAPL është caktuar si pikë fokusi për hartimin e strategjisë dhe rregullores ligjore e financiare, aspekt ky shumë i rëndësishëm për zgjidhjen e këtij problemi”, thuhet në njoftim.

Tutje u tha se Përparim Rama, është i vendosur që problemi i qenve endacak të trajtohet me seriozitet në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë akterët pjesëmarrës, nivelin qendror dhe të gjitha Komunat e Republikës së Kosovës.