Themelohet grupi koordinues për zbatimin e të gjitha problemeve rreth ekonomisë dhe sektorit privat në kohë pandemie

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti sot kryesoi mbledhjen e XI-të të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.

Kryeministri në detyrë në fjalën e tij tha se “ka një lidhje direkte mes shëndetit të qytetarëve dhe shëndetit të ekonomisë. Shprehja i pasur e i shëndetshëm dhe i varfër e i sëmur po merr kuptim më shumë në këtë pandemi. Ne jemi vend i varfër dhe shumicën e popullit i kemi të varfër e kështu direkt më shumë të cenuar e të rrezikuar nga kjo pandemi.” Tutje, ai vazhdoi duke thënë se “ata që me vite rrënuan sistemin shëndetësor nuk shëroheshin tek mjeku dhe spitali i shtetit, prandaj edhe nuk investuan në shëndetësinë publike, ama bash ata që na vodhën e mjeruan kaq shumë po na qajnë tash hallin më së shumti.”

Megjithatë, Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, përpos masave për t’i dalë në ndihmë shëndetit publik, ajo tashmë ka marrë edhe masat për t’i dalë në ndihmë shëndetit ekonomik. Pakon Emergjente Fiskale të hartuar nga Ministria e Financave dhe Transfereve dhe të aprovuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Kryeministri në detyrë Kurti e vlerësoi si  “ndihma e parë që i jepet pacientit në emergjencë, ajo nuk është terapia afatgjatë që i jepet për kurim”. Në këtë drejtim, Kryeministri në detyrë Kurti, tha se “Qeveria në detyrë është duke e planifikuar pakon e dytë – atë të rimëkëmbjes ekonomike. Ajo do të jetë shumë më e madhe se pakoja emergjente dhe do të ketë kohështrirje shumë më të gjatë. Dhe, në këtë proces duhet të angazhohemi bashkërisht”.

Me qëllim rritjen e kapaciteteve dhe mekanizmave bashkëpunues ndërinstitucional, në ketë mbledhje u morr vendimi për themelimin e grupit koordinues për trajtimin dhe adresimin e çështjeve ekonomike dhe problemeve që ka sektori privat, si rezultat i përballjes me pandeminë COVID-19