Themelimi i ndërmarrjes “Ulpiana” sjell përplasje të ashpra mes pushtetit e opozitës në Lipjan

Mbledhja e Kuvendit Komunal në Lipjan gjatë së enjtes është përcjellë me përplasje, fyerje e ofendime ndërmjet pushtetit komunal dhe opozitës. Situata më së shumti është tensionuar derisa Kuvendi po miratonte vendimin e ekzekutivit për inicimin e procedurave për themelimin e ndërmarrjes së re “Ulpiana”.

Madje në këtë pikë, kryesuesi i Kuvendit, Daut Azemi, disa herë ka kritikuar këshilltarët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje me arsyetim se po bëjnë shpifje nëpër media. Kryesuesi Azemi debatin më të ashpër e ka vazhduar me kuvendaren e LVV-së Albulena Kelmendi, duke i thënë asaj “mbylle gojën, të qes jashtë, e keni kallë shtetin”.

Po ashtu fjalor i tillë është përdorur edhe ndaj kuvendarit tjetër të LVV-së, Shkëlzen Bislimi, i cili akuzonte Ekzekutivin se po themelon ndërmarrje publike për t’i “rehatuar disa shokë” e militantë që kanë mbetur jashtë sistemit të pagave.

“Këtu e kemi një vendim për krijimin e një shoqërie aksionare, e cila si qëllim mbi të gjitha e ka rehatimin e disa shokëve të partisë e militantëve partiakë e jo interesin qytetar. Po dua ta di sa do t’i kushtojë buxhetit të komunës ky rehatim shokësh në këtë shoqëri aksionare. Çfarë të mira iu sjell qytetarëve kjo ndërmarrje edhe pse keni vendos ta krijoni këtë ndërmarrje në prag të zgjedhjeve lokale. A keni frikë se po e humbisni pushtetin e doni t’i rehatoni disa individë ma shpejtë që mos të mbeten keq apo ta shfrytëzoni edhe këtë ndërmarrje si karrem për vota në zgjedhjet lokale”, ka thënë Bislimi.

Ndërkaq Kelmendi është ankuar se opozita ka dyshimet e saj për ndërmarrjen, por s’është kundër “projekteve të rëndësishme” teksa është ankuar për ofendimet nga kryekuvendari.

“Kjo pikë për themelimin e ndërmarrjes ka krijuar konfuzitet duke u nisur nga fushëveprimtaria e saj jashtëzakonisht e gjerë sikur të ishte ndonjë super ndërmarrje. Duhet të na lejoni që ta kemi benifitin e dyshimit, por jo duke na ofenduar se siç jemi praktikant në qeverisje, pra këtu është një diskurs i panevojshëm këtu. Ne jemi opozitë dhe këtu jemi për të mirën e qytetarëve. Pra nuk jemi kundër asnjë projekti të rëndësishëm për qytetarët por na lejoni që ta kemi luksin e paqartësisë, konfuzitetit dhe mendimit të lirë”, ka thënë ajo.

Azemi i është përgjigjur Kelmendit duke i thënë se në opozitë nuk duhet të bëhen shpifje dhe të gënjehet qytetari.

“Nuk duhet me ‘rrejt’ qytetarin, ju po shpifni. Mbylle gojën ose dil jashtë. Unë kur të flas dua të më dëgjoni deri në fund, unë të qes jashtë sepse e kam të drejtën me rregullore dhe nuk ma ndien se ju jeni mësuar me kallë shtetin, por këtu nuk lejoj”, ka thënë midis të tjerash Azemi.

Sipas Azemit është një vendim vetëm për fillim të procedurave dhe nuk mund të flasë askush me supozime se kush do të punësohet.

Pas këtyre përplasjeve, kuvendarët nga radhët e LVV-së e kanë lëshuar mbledhjen, ndërkohë kuvendarja Kelmendi më vonë ka reaguar në rrjete sociale.

“Sot, u ofendova nga kryesuesi i Kuvendit Komunal, Daut Azemi, i cili u mundua të më intimidonte dhe kërcënonte, për të ma cenuar fjalën e lirë. Ky kryesues, me qëllim të përfitimit të poenëve politikë dhe dëshmi të lojalitetit ndaj Kryetarit, rëndom e keqpërdor mundësinë dhe mikrofonin që e ka të hapur për vete vazhdimisht, për të bërë diskurs ofendues politik, duke e luajtur rolin e militantit politik, e shumë pak të kryesuesit të Kuvendit”, ka thënë Kelmendi. Sipas saj, “frustrimi i patejkaluar si pasojë e humbjes së thellë në Lipjan, por edhe në krejt vendin, po e bën të veten”.

Lulzim Rrustemi, shef i grupit të Kuvendarëve nga radhët e PDK-së, ka thënë se për themelimin e një ndërmarrjeje të re publike, fillimisht është dashur të bëhet studim i fizibilitetit, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur. “Neve na mungojnë argumentet e mjaftueshme rreth buxhetit, ndërkaq deri te ky vendim për ta themeluar një ndërmarrje të re ka ardhur si shenjë pakënaqësie e ndërmarrjeve tjera publike, andaj pse nuk është bërë një komision për ta parë gjendjen e tyre. Ne duhet ta dimë arsyen e saktë pse e ka shtyrë themelimin e kësaj ndërmarrje”, ka thënë midis të tjerash Rrustemi.

Ndërmarrja publike “Ulpiana” e cila me shumicë të votave është miratuar për inicim të themelimit, ka për obligim kryerjen e dhjetëra shërbimeve publike si: mirëmbajtje të parqeve, ndriçimit, mirëmbajtjen e tregjeve, varrezave, mirëmbajtjen e rrjetit të ujërave atmosferik, transportimin e kafshëve të ngordhura, mirëmbajtjen e parkingjeve publike, mirëmbajtjen e objekteve banesore dhe ashensorëve. Pastaj dekorimin e qytetit në ditët e festave, menaxhimin e shërbimit me auto-marimangë etj.