Thellohet deficiti tregtar: Mbi 2.2 miliardë në total, rreth 62 milionë më shumë se vitin e kaluar

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, në vitin 2022, importi i Kosovës arriti një vlerë mbi 5.6 miliardë euro, ndërsa eksporti rreth 860 milionë euro. Thellimi i vazhdueshëm i disbalancës ndërmjet eksportit dhe importit shkaktoi kritika të ashpra ndaj qeverisë. Në vitin aktual, shifrat e Tregtisë së Jashtme të Kosovës të 6 mujorit të parë shpërfaqin një pasqyrë edhe më të rënduar në lidhje me deficitin tregtar të vendit.

Gjatë vitit 2022, krahasuar me vitin 2021, eksportet janë rritur me mbi 100 milionë euro, ndërsa importet me mbi 1 miliard euro. Kjo diferencë e madhe në import dhe eksport ka bërë që deficiti tregtar i Kosovës të arrijë vlera rekord në vitin që lamë pas.

Gjendja nuk ka shënuar aspak përmirësim as në vitin aktual. Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), 6 muajt e parë të vitit 2023 tregojnë një deficit tregtar që vazhdon të thellohet. Bazuar në statistikat e ASK-së, muaji maj del të jetë më i theksuari në këtë disbalancë, duke shënuar një deficit tregtar prej 20.5 për qind, një rritje shqetësuese krahasuar me vitin e kaluar.

“Të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të larët për (20.5%) në muajin maj 2023, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2022, gjegjësisht në vlerë prej 443,3 milion euro krahasuar me deficitin 367,8 milionë euro në vitin 2022. Eksporti mbulon importin (14.4%)”, – thuhet në raportin e ASK-së për muajin maj.

Ndonëse sipas ASK-së muajt shkurt, prill dhe qershor kanë shënuar një deficit më të ulët në krahasim me muajt e njëjtë të vitit të kaluar, janari, marsi, dhe maji kanë sjellë një rritje të jashtëzakonshme të deficitit tregtar, duke tejkaluar totalin e 6 muajve të njëjtë të vitit të kaluar për rreth 62 milionë euro.

Bie eksporti
Derisa kryeministri Kurti s’hezitonte t’i merrte meritat për suksesin e rritjes së eksporteve gjatë vitit 2022, ai ka qëndruar i heshtur për ngadalësimin e eksportit dhe rritjen e deficitit tregtar përgjatë këtij viti.

Në total, eksporti i Kosovës në katër muajt e parë të vitit 2023 ka shënuar trend negativ krahasuar me muajt e njëjtë të vitit paraprak. Gjatë vitit 2022, në periudhën kohore janar-prill, Kosova kishte eksportuar mallra në vlerë 299.073 milionë euro, ndërsa gjatë periudhës së njëjtë të këtij viti, eksporti i Kosovës kapi vlerën e vetëm 284.42 milionë eurove. Krahasuar shifrat, vlera e eksportit del të jetë 12.5 milionë euro më e vogël.

Edhe në muajt maj dhe qershor eksporti shënoi rënie të theksuar krahsuar me muajt e njëjtë të vitit paraprak.

“Eksporti i mallrave në muajin qershor 2023 kishte vlerën 68,5 milion euro, ndërsa importi 467,3 milion euro, që është një rënie prej (-8,1% për eksport dhe (-5,2%) për import, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022”, – thuhet në njoftimin e ASK-së.

“Eksporti i mallrave në muajin maj 2023 kishte vlerën 74,7 milion euro, ndërsa importi 518,1 milion euro, është një rënje prej (1.6%) për eksport si dhe një rritje (16.7%) për import duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022” – thuhet në njoftimin e ASK-së.