Trupat britanike në radhët e Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, janë në gatishmëri për të ulur tensionet në Kosovë pas ngjarjes në Manastirin e Banjskës kur grupi terrorist i financuar nga Serbia u fut ilegalisht në Kosovë dhe sulmoi Policinë e Kosovës duke lënë të vrarë një pjesëtar të saj.

Marrë për bazë premisën se Serbia ka vendosur tanke, trupa dhe artileri në kufirin me Kosovën, Ministria e Mbrojtjes së Britanisë së Madhe, siç raporton mediumi britanik “The Times”, ka thënë të premten në mbrëmje se kishte transferuar komandën e një batalioni të Ushtrisë Britanike në NATO për të përforcuar forcën paqeruajtëse të aleancës në Kosovë.

“Për shkak të situatës aktuale në Kosovë, ne kemi transferuar komandën e Batalionit të Parë të Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit në NATO, në mënyrë që të mund të ofrojë mbështetje nëse kërkohet”, thuhet nga Ministria e Mbrojtjes.

Gazeta britanike ka cituar shqetësimet e SHBA-ve për grumbullimin “e paprecedent” të forcave ushtarake serbe.

Ministria e Mbrojtjes, siç po raporton “The Times” nuk ka konfirmuar se sa trupa britanike ishin dërguar në Kosovë, por tha se “Mbretëria e Bashkuar vazhdon të luajë një rol udhëheqës në NATO, duke dhënë kontribute të konsiderueshme në operacionet shumëkombëshe”.

Ministria e Mbrojtjes së Britanisë së Madhe shtoi se batalioni kishte “arritur së fundmi në rajon për një stërvitje të planifikuar prej kohësh”.

Ndryshe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur përsëri shqetësimin e tyre për dislokimin e trupave ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën, në një komunikatë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë ku është njoftuar biseda telefonike e këshilltarit për siguri kombëtare në SHBA, Jake Sullivan, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në po këtë komunikatë për media bëhet e ditur se Sullivan ka theksuar gatishmërinë e SHBA-së për të siguruar që KFOR-i të ketë burimet e duhura për të përmbushur misionin e tij.

“Ai gjithashtu shprehu shqetësimin për mobilizimet ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën. Ai vuri në dukje vendimet e fundit të NATO-s për të forcuar praninë dhe aktivitetin e Forcave të NATO-s në Kosovë (KFOR), veçanërisht në Veri të Kosovës, dhe nënvizoi gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar me aleatët tanë për të siguruar që KFOR-i të ketë burimet e duhura për të përmbushur misionin e tij”, thuhet në komunikatën për media e lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.

Më herët gjatë ditës së premte, SHBA-të kërkuan nga Serbia që t’i tërheqë trupat ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën dhe që sulmuesit në rastin e Banjskës të mbahen përgjegjës.

NATO-ja ka vendosur për shtim të trupave në Kosovë.

Çfarë ndodhi?

Një grup i armatosur, që fillimisht sipas autoriteteve përbëhej prej rreth 30 personash ndërsa pas një përditësimi të dhënave numri i personave shkoi në mbi 80 sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Policia tha se tre sulmues të dyshuar u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit në manastirin e Banjskës, ku u strehua ky grup i armatosur.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla akuzoi Millan Radojiçiqin, se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulm.

Më 26 shtator, Sveçla publikoi një video të incizuar me dron, ku pretendohet se shihet Radojiçiç i armatosur në Banjskë.

Më 29 shtator, Radojiçiq, pranoi vetë se ka qenë pjesë e grupit terrorist në rastin e Manastirit të Banjskës.

Radojiçiq, nëpërmjet avokatit të tij, ka thënë se për veprimet e tij ai nuk e ka njoftuar askënd prej strukturave qeveritare serbe apo atyre politike lokale në Veri të Kosovës, dhe as nuk e ka pranuar ndihmën e tyre, meqë sipas tij të njëjtit kanë pasur qëndrime të ndryshme në lidhje me “metodat e mëparshme të rezistencës ndaj ‘terrorit të Kurtit’”.

Radojiçiq gjithashtu ka deklaruar se sulmuesit e e Policisë së Kosovës në Banjskë të Komunës së Zveçanit nuk janë terroristë, por “luftëtarë për lirinë e popullit të tyre”.

Ai ka pretenduar se vrasja e policit ka qenë “aksidentale”, pas së cilës ka nisur “një përleshje e ashpër nga të dyja palët”, ndërsa njoftoi opinionin serb se po jep dorëheqje nga pozita e tij në Listën Serbe, duke theksuar se përfshirja e tij politike në Listën Serbe “nuk kishte të bënte me kthimin e tij në Kosovë”.

Shtetet perëndimore kanë dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator.